Lajme

Talibanët, ftesë për model islam në Afganistan: Që të jetojmë si vëllezër!

Bisedimet e para të drejtpërdrejta të paqes midis qeverisë afgane dhe talibanëve filluan në kryeqytetin e Katarit, Doha, të shtunën në mëngjes, me qëllimin për t’i dhënë fund luftës që ka zgjatur për gati dy dekada.

Talibanët kërkuan një sistem islam të qeverisjes së Afganistanit, në të cilin të gjithë do të jetojnë si vëllezër.

Thirrja u bë nga Mulla Abdul Ghani Baradar, nënkryetari i lëvizjes, gjatë seancës inauguruese të bisedimeve të drejtpërdrejta të paqes afgane në Doha.

Në fjalën e tij, Baradar tha, ndër të tjera: “Ne kemi vepruar në bazë të një marrëveshje paqeje me Shtetet e Bashkuara dhe duam që pala tjetër të këmbëngulë në parimet e kësaj marrëveshjeje për të arritur paqen. Ne prisnim që procesi i negociatave të përballej me probleme, megjithatë dëshira jonë është që ky proces të përparojë gradualisht dhe me durim. Talibanët kanë siguruar afganët se ata do t’i kryejnë negociatat plotësisht sinqerisht dhe ne besojmë se Afganistani duhet të ketë një sistem islamik të qeverisjes në të cilin të gjithë afganët do të shohin dhe ndjehen si përfaqësues të saj dhe do të jetojnë së bashku si vëllezër,” raportoi kanali afgan TOLOnews.

Kujtojmë se më 29 shkurt, pra pak muaj më parë, po në Doha u nënshkrua një marrëveshje mes SHBA dhe Talibanëve, gjë që hapi rrugën për tërheqjen graduale të trupave amerikane nga Afganistani dhe shkëmbimin e të burgosurve.

Marrëveshja bëri thirrje për lirimin e rreth 5,000 të burgosurve talibanë, në këmbim të rreth 1,000 të burgosurve nga qeveria afgane.

Afganistani ka qenë praktikisht në luftë që nga tetori 2001, kur një koalicion ushtarak ndërkombëtar përmbysi regjimin taliban. /tesheshi.com/


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?