Lajme

Takimi i Osmanit e Kurtit me Sekretarin Blinken, për çka folën në Washington e si reagoi opozita në Kosovë

Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti janë takuar për herë të parë zyrtarisht me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Ata janë pritur në takim në Departamentin e Shtetit. Gazeta Online Reporteri.net ju sjell detaje të temave që u diskutuan në këtë takim dhe reagimeve në vend për takimin e mbrëmshëm.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka pritur mbrëmë në takim krerët e shtetit të Kosovës, Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti.

Menjëherë pas takimit, Departamenti i Shtetit lëshoi një njoftim të shkurtër për përmbajtjen e takimit.

Aty u bë me dije se tema kryesore e takimit ishte dialogu Kosovë-Serbi.

“Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken ka takuar sot presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti në Uashington DC. Sekretari Blinken theksoi partneritetin e qëndrueshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës dhe Sekretari falënderoi liderët për mbështetjen e tyre të fortë për Ukrainën dhe pritjen bujare të afganëve. Ata diskutuan rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me qendër njohjen reciproke, në rrugën drejt integrimeve euroatlantike”, thuhet në njoftimin e DASH.

Për takimin njoftoi edhe vetë Sekretari Blinken. Ai tha se SHBA-të mbështesin integrimin euroatlantik dhe ndërkombëtar të Kosovës si dhe dialogun me Serbinë.

Blinken falënderoi sërish Kosovën për mikpritjen dhe strehimin e afganëve.

“U takova sot me presidenten Osmani dhe kryeministrin e Kosovës, Kurti. Shtetet e Bashkuara mbështesin integrimin euroatlantik dhe ndërkombëtar të Kosovës dhe dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja. Ne vlerësojmë mikpritjen e Kosovës për afganët dhe mbështetjen e saj të fortë për Ukrainën”, shkroi Blinken.

Pas takimit, kryeministri Kurti para mediave në SHBA tha se takimi ishte fort i dobishëm në aspektin e raporteve mes Kosovës e SHBA-së.

“Takimi që patëm me zotin Blinken ishte takim shumë i përzemërt, fort i dobishëm për raportet e shkëlqyeshme mes SHBA-ve dhe Kosovës. Aty treguam se si Kosova është një histori suksesi e dyfishtë. Rrëfim suksesi i qëndrueshmërisë dhe punës, dhe ndërhyrjes së NATO-së për ta ndalur gjenocidin në Kosovë, dhe histori suksesi e një demokracie cilësore që shkon bashkë me zhvillimin ekonomik”, tha Kurti.

Kurti tha se u kërkuan më shumë investime nga SHBA-të, e sidomos në fushën e mbrojtjes.

“Synojmë që siguria e Kosovës që është siguri jo vetëm e shtetit dhe popullit, por edhe progresit të arritur, ta ketë partner SHBA-në”, tha Kurti.

E në Facebook tregoi edhe për temat që diskutuan.

Ndërkohë, Presidentja Osmani tha se në këtë takim, edhe një herë u konfirmua se Kosova nuk ka mik më të madh, më të mirë dhe më të fuqishëm se SHBA-të.

Osmani tha se në takim është ripërsëritur qëndrimi i SHBA-së se dialogu me Serbinë duhet të përfundojë me njohje reciproke, shkruan Reporteri.net.

“Ishte një takim i shkëlqyeshëm ku u rikonfirmua se Kosova nuk ka mik më të madh, më të mirë, më të fuqishëm se SHBA-të. Kemi biseduar për fuqizimin e subjektivitetit apo mënyrës se si Kosova fuqizohet në arenën ndërkombëtare përmes njohjes dhe çështjeve tjera. Diskutuam edhe për rolin konstruktiv në dialogun me Serbinë, duke hyrë në detaje në marrëveshjet që janë nënshkruar. Edhe Biden dhe Blinken, kanë qenë të qartë që dialogu të përfundojë në njohje reciproke, gjë që është konfirmuar edhe gjatë këtij takimi”, tha Osmani.

Reagimet në Kosovë pas takimit të Osmanit e Kurtit me Blinkenin

Ndër të parët që reagoi për këtë takim ishte Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Ai e ka përshëndetur takimin e dy krerëve të shtetit të Kosovës me Sekretarin Blinken.
Sipas tij, kjo vizitë e reflekton partneritetin e qëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Dje, Sekretari Blinken u takua me Presidentin e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti, për të diskutuar për fushat kryesore të bashkëpunimit tonë të ngushtë. Vizita është një tjetër reflektim i partneritetit të qëndrueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”, ka shkruar ambasadori amerikan në Twitter.

Këtë takim e ka mirëpritur edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Haradinaj ka deklaruar se ShBA’ja edhe njëherë ka treguar lidershipin e saj në ndihmën ndaj Kosovës

“Mirëpres mbështetjen e ShBA-së për Kosovën përmes fondit të MCC-së dhe takimin e delegacionit të Kosovës me Sekretarin Blinken. ShBA, edhe njëherë ka treguar lidershipin e saj në ndihmën ndaj Kosovës, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në procesin e dialogut. Tani është koha për marrëveshjen finale me njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën udhëheqjen e ShBA-ve”, ka shkruar Haradinaj.

Për takimin e Osmanit me Blinkenin ka reaguar edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.

Ajo ka thënë se shpreson që Osmani e Kurti t’i kenë kuptuar drejtë mesazhet e Blinkenit.

“Pa përfshirjen e drejtërdrejtë të SHBA-ve nuk është përmbyllur sukseshëm asnjë projekt gjeostrategjik në kontinentin Evropian. Ne në Kosovë e dimë këtë më së miri! Shpresoj që udhëheqësit e Institucioneve të Kosovës t’i kenë kuptuar drejtë mesazhet e Sekretarit të Shtetit Blinken. Mirëmbajtja e status quo-së në dialogun Kosovë-Serbi i shkon për shtatit Serbisë dhe forcave destruktive në rajonin tonë”, shkroi ajo.

Deklaratë të ngjashme me Çitakun ka dhënë edhe zyrtari i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skënder Hyseni.

“SHBA po demonstron përkushtimin për Kosovën. Uroj qe krerët e Kosovës ta kenë kuptuar rëndësinë, seriozitetin dhe urgjencën e mbylljes së dialogut me Serbinë me marrëveshje për njohje të ndërsjëllë, që është thelbësore për integrimet e përshpejtuara euro atlantike e ndërkombëtare të vendit tonë”, ka shkruar Hyseni.

Të rëndësisë së veçantë e ka cilësuar këtë takim edhe ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri.

Përmes një postimi në Tëitter, Tahiri ka thënë se aleanca e Kosovës me SHBA-të është jetike.

“Takimi i nivelit të lartë në ShBA në mes të delegacionit kosovar dhe Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken dje në ëashington ka rëndësi të madhe strategjike për Kosovën. Aleanca me ShBA-në është jetike dhe si e tillë duhet të ruhet dhe zhvillohet në vazhdimësi”, ka shkruar Tahiri.

Kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka parashtruar disa pyetje lidhur me këtë takim.

Ai ka pyetur se cilat ishin kërkesat dhe cilat garanci u kërkuan nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Çka ndjehet nga ky takim është se u shkrinë disa raporte. Pra na paska qenë një problem aty. Por në kuadër të cilës qasje u pranua takimi? Test provues është marrëveshja me Serbinë dhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

A u përdor Kosova si shkallë për raporte më të mira për veten e tyre? Cilat janë kërkesat, e cilat garanci u kërkuan në takim nga ShBA. E më kryesorja, në kuadër të cilës zgjidhje diskutuan? Ata nuk thanë asgjë të re. Pra jemi tek opsioni i vjetër, që nuk po vjetrohet”, ka shkruar Molliqaj.

Ndërkohë, Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë se më çështje diskutimi në publik nuk do të duhej të ishte mungesa e takimeve e Qeverisë së Kosovës me administratën amerikane, por qasja që do të ndjekë Qeveria Kurti në raport me dialogun me Serbinë.

Murati gjithashtu thotë se takimi i djeshëm i dy krerëve kosovarë me Sekretarin amerikan të Shtetit heq nga diskursi i përditshëm çështjen e takimit me zyrtarë amerikanë.

“Takimi i Kryeministrit Kurti (dhe presidentes) me Sekretarin e Shtetit Blinken heq nga rendi i ditës në debatet tona të përditshme se në çfarë niveli protokollar është pritur kryeministri ynë në Uashington. Takimi me Sekretarin e Shtetit është takim jo vetëm dinjitoz por edhe adekuat duke pasur parasysh se Departamenti i Shtetit nga të gjitha strukturat qeveritare të SHBA-ve merret më së shumti me Kosovën në përgjithësi dhe me dialogun në veçanti”, ka thënë Murati./Reporteri.net