Lajme

Takimet në Bruksel, Ahmeti thotë se po flitet për marrëveshje përfundimtare dhe jo për tabela

Në emisionin “Politiko me Kushtrim Sadkiun”, analisti politik, Arben Ahmeti, ka thënë se sot është folur për marrëveshjen përfundimtare, raporton Gazeta10.

Ahmeti ka thënë se kjo është ditë e mirë për dy shtetet dhe rajonin meqë nuk ka humbës kur flitet për marrëveshje.

“Sot megjithatë është folur për marrëveshjen përfundimtare dhe kjo është ditë e mirë për rajonin edhe për Serbinë edhe për Kosovën. Nuk ka humbës këtu nëse ne e bëjmë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë dhe fillojmë e kthehemi kah zhvillimi ekonomik dhe kah integrimi”, ka thënë Ahmeti.

Tutje, Ahmeti ka thënë se meqë liderët janë pajtuar të takohen në baza mujore e po ashtu të mos flasin për media, atëherë kjo na tregon se s’po flitet për tabela.

“Duke qenë se është kështu dhe duke qenë se dy liderët janë pajtuar që të takohen në baza mujore dhe të mos deklarohen atëherë po i bie që nuk po flasim se a do të ja qesim stkerin tabelave apo do ja heqim por po flitet për një agjend të qartë në vazhdim”, ka thënë më tej Ahmeti.

Përndryshe, sot gjatë ditës është zhvilluar fillimisht një takim trepalësh në Bruksel mes përfaqësuesve të BE-së, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, në përpjekje për të gjetur zgjidhje për uljen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë si dhe për diskutimin e Asociacionit.

Po ashtu, ka pasur edhe takime të ndara mes përfaqësuesve të BE-së dhe krerëve nga Kosova dhe Serbia. Takimi trepalësh njejtë sikur takimet e ndara kanë përfunduar pa rezultate. I pranishëm në Bruksel këto dy ditë ka qenë edhe i dërguari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ekipi i Kanal10 është në Bruksel ku ka raportuar dhe vazhdon të raportojë live nga atje.