Lajme

Tahiri paralajmëron fitoren e PDK’së

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri është i bindur në fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës.

Në një postim në rrjetin social Facebook, ministri i Drejtësisë ka shkruar se nga fitorja e madhe e PDK-së na ndajnë vetëm 5 javë.

Tahiri ka përmendur arritjet që ka bërë në drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë,mes të cilave edhe ndryshimet në legjislacion kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe ndryshimet në strukturën e gjyqësorit dhe në qasjen në drejtësi.

“Të dashur bashkëqytetarë të Republikës, Nga dita e sotshme, na ndajnë pesë javë prej zgjedhjeve dhe fitores së madhe të PDK-së. Kam pasur nderin që për dy vite të iu shërbej si Ministër i Drejtësisë. Bashkë kemi nisur e përfunduar shumë reforma vitale për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Për dy vite, kemi reformuar drejtësinë penale, të drejtat pronësore, strukturën e gjyqësorit dhe prokurorisë si dhe qasjen në drejtësi. Kemi marrë kredenciale të plota brenda dhe jashtë vendit për qeverisjen e mirëfilltë, transparente dhe të drejtuar mbi parimet më të rëndësishme të shtetit ligjor. Kemi arritur të përmbyllim projektet kapitale në luftë kundër korrupsionit, si rritjen e dënimeve me Kod Penal, parandalimin e konfliktit të interesit, mbrojtjen e sinjalizuesve, si dhe konfiskimin e pasurisë së fituar me krim e korrupsion. Kemi nisur edhe shumë projekte kapitale kombëtare në fushën e drejtësisë, si Rishikimin Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, Agjendën “Drejtësia 2020”, Kodin Civil e të ngjashme” ka shkruar Tahiri.

Tahiri ka shkruar se angazhimin politik do ta vazhdojë edhe më tutje duke pasur në fokus sundimin e rendit dhe ligjit.

“Siç kam punuar me përkushtim deri më tani, kam forcë dhe vullnet për ta përfunduar atë që kemi nisur. Angazhimi im politik edhe më tej do ta ketë në fokus sundimin e rendit dhe ligjit. Do punojmë për integritet të institucioneve, për luftë të pa kompromis kundër korrupsionit, nepotizmit dhe abuzimit. Do angazhohem për suspendim të secilit zyrtar kushdo qoftë ai, në momentin që ka aktakuzë për korrupsion. Do zgjerojmë listën e deklaruesve të pasurisë për secilën pozitë që ka potencial për korrupsion. Do ta zgjasim afatin e hetimeve që organet e zbatimit të ligjit të kenë më shumë kohë për të vënë para përgjegjësisë penale çdo person të dyshuar për korrupsion. Do ta vendosim edhe gjykimin në mungesë si alternativë që askush të mos mund t’i shmanget as t’i ikë drejtësisë. Me gjykatë të re komerciale, do ulim rrezikun e korrupsionit dhe pabarazisë në mes bizneseve. Do t’i kushtojmë rendësi zbatimit të ligjit, në secilën pikë e secilin nen, në çdo rast, ndaj kujtdo dhe mbi të gjithë. Emrin e Republikës tonë dhe institucioneve të saj do ta shkëpusim një herë e përgjithmonë nga kultura e abuzimit. Për rend dhe ligj, jam e do jem edhe më tej, aleati juaj i pa kompromis. Ju premtoj” ka përfunduar statusin e tij Tahiri.


SHIKO EDHE: Si do të duket jeta pas COVID-19?