Lajme

Tahiri: Kurti një politikan i paaftë për të qeverisur

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Abelard Tahiri, ka thënë se qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, as pas një jave nuk e ka mbajtur akoma mbledhjen e parë të qeverisë për të prezantuar para qytetarëve programin qeverisës.

Ish-ministri i Drejtësisë shtoi se ky është një tregues i qartë se kemi të bëjmë me një politikan të paaftë për ta kuptuar dhe administruar me ekzekutivin.

Postim i plotë:

Është e çuditshme dhe e paprecedent se si Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, edhe pas një jave të formimit të saj, ende nuk e ka mbajtur mbledhjen e parë dhe ende nuk e ka shpalosur para qytetarëve programin qeverisës. Në vend të kësaj, Kryeministri ka zgjedhur ta bëjë një vizitë jashtë vendit.

Ky fakt është tregues i qartë se kemi të bëjmë me një politikan të paaftë për ta kuptuar dhe administruar me ekzekutivin.

Prioritet i Kryeministrit sot nuk ishte takimi me kabinetin e tij, për të përcaktuar detyrat themelore, e as ofrimi i programit që do të shërbente për të njohur orientimin politik, ekonomik e social ndaj temave kryesore e zhvillimore të vendit, por një vizitë në Shqipëri.

Por, kjo vizitë e tij, përderisa ende nuk ka ushtruar as funksionin themelor të Kryeministrit, është një paralajmërim tipik i stilit të tij politik të papërgjegjësisë dhe mashtrimit, të cilin ai përpiqet të na e shesë si punë të rëndomtë të një Kryeministri.

Është shqetësuese sjellja e papërgjegjshme e Kurtit karshi pritjeve të qytetarëve, që me të drejtë kërkojnë ta dinë agjendën e prioriteteve për Kosovën.


SHIKO EDHE: 7 SIMPTOMAT QË JU TREGOJNË NËSE KENI COVID-19