Lajme

Sulmohet një shkollë, vriten disa fëmijë

Zyrtarët në Kamerun njoftuan se pesë fëmijë janë vrarë dhe nëntë të tjerë janë plagosur rëndë pasi disa persona të armatosur sulmuan një shkollë në qytetin Kumba të shtunën.

Zyrtarët për këtë sulm i fajësuan luftëtarët separatistë, të cilët po përpiqen të formojnë një shtet të ri në pjesën perëndimore të Kamerunit, ku flitet gjuha angleze, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

“Ata sulmuan rreth mesditës. I gjetën fëmijët në klasë dhe hapën zjarr ndaj tyre”, tha Ali Anougou, zyrtar lokal në Kumba. Ai gjithashtu njoftoi se nëntë fëmijë janë plagosur seriozisht dhe janë dërguar në spital.

Separatistët anglishtfolës kanë vendosur orë policore dhe i kanë mbyllur shkollat si pjesë të protestës kundër qeverisë së presidentit Paul Biya, e cila përbëhet nga komuniteti frëngjishtfolës dhe e cila është akuzuar për margjinalizim të pakicës anglishtfolëse.

Vitin e kaluar, zyrtarët kamerunas i fajësuan separatistët për rrëmbimin e dhjetëra nxënëseve, por kjo akuzë u mohua nga separatistët.