Lajme

Sulmohet me 6 plumba vetura e gazetarit të njohur Kosovar

Gazetari Shkumbin Kajtazi është sulmuar nga persona të panjohur. Vetura e tij është goditur me rreth gjashtë plumba, raporton Express

Lajmin për sulmin e ka bërë të ditur vetë Kajtazi përmes një statusi në Facebook.

“Mbrëmë u përballa me një sulm të rrezikshëm: vetura ime u qëllua me 5 ose 6 plumba. Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës, kur vetura ishte e parkuar në qendër të Mitrovicës. Unë isha afër dhe kam dëgjuar krisma arme, por si njeri naiv që beson se Kosova është vend normal, nuk e kam lejuar mendjen të më thotë se mund të jetë sulm i tillë. Isha gabim”, ka shkruar Kajtazi.

“Kur u afrova tek vendi ku e kisha parkuar, pashë se vetura ishte dëmtuar në masë të madhe. Në fillim pata bindjen se ishte goditur me diçka të fortë, mirëpo më pas u vërejten gjithandej vrima dhe predha të plumbave: në ulësen e shoferit, në tavan e në pjesën e prapme. Edhe në Polici deklarova se rasti lidhet me punën, pasi problem personal me dikë nuk kam pasur që nga shkolla e mesme”, ka shkruar ai.