Lajme

Studimi i ri tregon se mund të ekzistojnë 6 tipe të CoViD-19

CoViD-19 mund të mos jetë vetëm një sëmundje, por 6 tipe të ndryshme, sipas një studimi të ri britanez.

Çdo tip dallon nga tjetri për nga serioziteti dhe nevoja për mbështetje respiratore gjatë hospitalizimit, shtoi hulumtimi.

Kollitja, temperatura e lartë dhe humbja e ndjeshmërisë së aromave janë simptomat e zakonshme të CoViD-19, por vargu i simptomave mund të përfshijë edhe dhimbje koke, dhimbje të muskujve, lodhje, diarre, konfuzion, humbje të apetitit, shkurtim të frymëmarrjes etj.

Për këtë studim, hulumtuesit kanë analizuar të dhënat mjekësore të më shumë se 1600 njerëzve, që kanë raportuar simptomat e tyre në një aplikacion.

Gjashtë grupet e simptomave në sekuencë nga më të lehtat dhe joseriozet deri tek ato më të rëndat dhe serioze janë:

Dhimbje koke, humbje të ndjesisë së nuhatjes aromave, dhimbje të muskujve, kollitje, dhimbje të fytit, dhimbje të gjoksit, jo temperaturë të lartë.

Dhimbje koke, humbje e ndjesisë së nuhatjes së aromave, kollitje, dhimbje fyti, të ngjirur të zërit, temperaturë e lartë, humbje apetiti.

Dhimbje koke, humbje e ndjesisë së nuhatjes së aromave, humbje apetiti, diarre, dhimbje fyti, dhimbje gjoksi, jo kollitje.

Dhimbje koke, humbje e ndjesisë së nuhatjes së aromave, kollitje, temperaturë e lartë, të ngjirur të zërit, dhimbje gjoksi, lodhje.

Dhimbje koke, humbje e ndjesisë së nuhatjes së aromave, humbje e apetitit, kollitje, temperaturë e lartë, ngjirje e zërit, dhimbje gjoksi, lodhje, konfuzion, dhimbje e muskujve.

Dhimbje koke, humbje e ndjesisë së nuhatjes së aromave, humbje apetiti, kollitje, temperaturë e lartë, ngjirje e zërit, dhimbje gjoksi, dhimbje e fytit, lodhje, konfuzion, dhimbje muskujsh, shkurtesë e frymëmarrjes, diarre, dhimbje abdominale.

Tre tipet e fundit rezultojnë në sëmundje më të rëndë dhe serioze, kanë cekur hulumtuesit.

Duke përdorur simptoma të ndryshme, peshën trupore dhe faktorë të tjerë, hulumtuesit zhvilluan një model që parashikon cilët pacientë do të kenë nevojë për hospitalizim dhe për mbështetje respiratore.

“Këto zbulime kanë implikime të rëndësishme për kujdesjen dhe monitorimin e njerëzve më të cenueshëm për zhvillimin e formave të rënda të CoViD-19,” tha hulumtuesja Dr. Claire Steves, nga Kolegji King në Londër.

“Nëse mund të parashikosh kush janë këta njerëz në ditën e pestë, do keni kohë që t’i jepni mbështetjen dhe intervenimet e hershme si monitorimi i oksigjenit në gjak dhe niveleve të sheqerit, dhe të siguroheni që janë të hidratuar mjaftueshëm – kujdesje e thjeshtë që mund t’u ofrohet në shtëpi, duke parandaluar hospitalizimin dhe duke shpëtuar jetë,” tha Stevens në një deklaratë.

Raporti u publikua sot në “medRxiv”. /Objektiv/


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?