Lajme

Sqarohet Tolaj: Mediat më keq-cituan, nuk fajësova mjekët

Infektologu Ilir Q. Tolaj, ka dalë më një sqarim lidhur me deklaratën e tij rreth kujdesit intensiv për pacientët me COVID-19, e cila nxiti reagime gjatë ditës së sotme.

Përmes një shkrimi, infektologu Tolaj ka thënë se deklarata e tij është keqcituar nga mediat, teksa thekson se në gjendjen në të cilën ndodhet shëndetësia, mjekët nuk kanë faj.

Tutje, ai shprehet se që nga fillimi ka treguar gatishmëri për të ndihmuar në periudhën e pandemisë.

Sqarimi i plotë i infektologut Tolaj:

Një deklaratë e imja e djeshme rreth kujdesit intensiv për pacientët me COVID-19, u keqcitua nga mediat. Kështu, fjalëve të mija ju dha një tjetër kuptim. Kjo bëri që të reagojë QKUK. Shihet që reagimi i QKUK-së është bazuar në titujt që mediat ja dhanë deklaratës sime, sesa vetëpërmbajtjes së deklaratës. Deklarata nuk ishte akuzë e as fajësim kundër askujt, e më së paku ndaj mjekëve e infermierëve që me vetëmohim po i mjekojnë këto raste, por një konstatim profesional e dashamirës, për gjendjen e një segmenti të shëndetësië, siç është kujdesi intensiv.

Të gjithë në Kosovë, njerëz të rëndomtë e mjekë, e dimë se sistemi jonë shëndetësor është shumë prapa sistemeve shëndetësore të të gjitha vendeve të rajonit. Për më larg nuk po flas. Po të mos ishte kështu, me mijëra e dhjetëra pacientë gjatë vitit nuk do të kërkonin ndihmën mjekësore në vendet përreth Kosovës, duke e përfshirë edhe Serbinë, e shumë të tjerë në Turqi e vende të Europës. Nuk kam dëgjuar ende ndonjë rast që dikush nga vendet fqinje të Kosovës të ketë ardhur për mjekim tek ne.

E kam thënë dhe po e përsëris prap; për këtë gjendje çfarë është në shëndetësi nuk e kanë fajin mjekët e as personeli ndihmës shëndetësor. Në paraqitjet e mia asnjëherë nuk i kam fajësuar mjekët për këtë gjendje në të cilën jemi. Madje disa herë e kam potencuar se anesteziologët, që janë shumë të paktë në numër, po e bëjnë punën e madhe, jashtë mundësive të tyre fizike, në mjekimin e rasteve me COVID-19 në kujdesin intensiv. Ata pra, mjekët në përgjithësi, e bëjnë punën e tyre sipas edukimit specialistik, i cili ju është dhënë, kushteve të cilat ju ofrohen, pajisjes të cilën e kanë dhe udhëheqjes që duhet t’iu prijë. Shumica e tyre atë e bëjnë me përkushtim të madh duke mos kursyer asgjë nga dija dhe mundësia fizike e tyre. Ata nuk janë fajtor pse askush deri tash nuk ka përcaktuar kritere se çfarë pune duhet të bëjë një institucion si QKUK, për shembull. Kështu, nga dita në ditë, nga viti në vit, distanca mes nesh dhe fqinjëve bëhet edhe më e madhe, kurse udhëheqja e institucioeneve shëndetësore, cilado qoftë ajo, strehohet në vetëkënaqësinë e vetë dhe të mentorëve të tyre politik.

Edukimi specialistik fitohet me shkollimin adekuat, në qendrat me renome në vendet e Europës. Unë e kam bërë në Qendrën Klinikë Universitare në Ljubljanë të Sllovenisë dhe këtë s’mund të ma marrë askush. Ashtu siç nuk mund ti mohoj askush aftësitë e mija shkencore, mjekësore e pedagogjike. As punën me decenie në QKUK. Zatën, a nuk i vërtetoi koha gjithë ato që i kam thënë që nga fillimi i pandemisë? Fakti se tash nuk jam në QKUK pa fajin dhe dëshirën time duhet ta turpërojë QKUK-në e MSh-në, e jo mua. Unë jam ofruar publikisht e pa kushte që të ndihmojë në këtë pandemi, që nga fillimi. Gatishmëria ime u hesht pa asnjë shpjegim, kurse zëri profesional i imi po tentohet të heshtet me deklarime të padenja nga individë pa dinjitet. Ragimet e tilla nuk më bëjn përshtypje.