Lajme

S’ka më gjumë për mjekët, QKUK do t’i heq shtretërit nga zyrat

Drejtoria e SHSKUK-së po planifikon t’i heq shtretërit nga zyrat e mjekëve nëpër reparte e klinika.

Drejtoria e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës ka ndaluar blerjen e shtretërve për zyrat e mjekëve nëpër reparte e klinika, shkruan Gazeta Shneta.

Burime të Gazetës brenda drejtorisë bëjnë të ditur se po planifikohet edhe heqja e shtretërve ekzistues nëpër zyrat e mjekëve specialistë.

“Ka kërkesa për me ble shtretër për zyra të mjekëve, por kjo gjë është ndaluar. Nuk do të blihen më shtretër për zyrë. Poashtu është duke u planifikuar edhe heqja e atyre që janë aktualisht nëpër zyrat e mjekëve”, ka deklaruar ky burim.

Zyra e Drejtorit të SHSKUK-së, e ka konfirmuar për Gazetën se nuk është planifikuar blerja e shtretërve të rinj.

Zyrat e mjekëve nëpër klinika e reparte janë të pajisura me shtretër të cilët i përdorin për të pushuar pas operacioneve, ndërkaq shpeshherë ka pasur ankesa nga pacientët se mjekët edhe flejnë gjatë orarit të punës.