Lajme

Situatë e rënduar me Covid-19 në vend, Ahmeti propozon disa masa për të dalë nga kjo situatë

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka propozuar pesë masa pas situatës së re të krijuar me pandeminë e koronavirusit në Kosovë.

Në ditën kur u regjistruan 214 raste të reja – ditë rekord – Ahmeti ka thënë se komuna që ai udhëheqë do të veprojë në disa drejtime, por ka kërkuar që kërkesat e tyre të adresohen.

Deri tash në Kosovë janë regjistruar 4100 raste me COVID-19, me Prishtinën që në nivel komunash është e para me 1143 raste.

Ahmeti në një postim në Facebook ka shkruar se vendi ende është pa strategji që do të jepte siguri te qytetarët. Pikë të parë të propozimeve, ai ka renditur kërkesën për më shumë testime.

“Testime, testime dhe testime – jemi shteti me numrin më të vogël të testeve dhe po ashtu shteti i vetëm që ka bllokuar importin e testeve nga laboratorët private. Shtetet tjera luftojnë për teste për shkak të mungesës së tyre e ne nuk i pranojmë. Testin PCR me strisho e kryen vetëm IKSHP ndërsa testet serologjike ende nuk bëhen në masën që duhen. Përderisa shtetet e tjera kanë bërë edhe hulumtime mbi prevalencën (sa njerëz e kanë pas virusin) ne nuk e kemi idenë përveç pozitivëve të konfirmuar në IKSHP. Numri i rasteve aktive nuk është i saktë dhe përqindja që po e nxirrni (50 për qind e të testuarëve janë pozitiv) nuk kanë kurrfarë vlere shkencore”, ka thënë Ahmeti duke shtuar se Komuna e Prishtinës ka porositur mbi 10 mijë teste serologjike.

Ai ka paralajmëruar se nga kjo javë mund të fillohet me 150 teste në ditë “që ta kuptojmë edhe sa janë të infektuar në komunën tonë dhe po ashtu edhe shumë fakte të tjera”. Ai ka theksuar se pas dy javësh kapaciteti mund të shtohet deri ne 400 teste në ditë.Propozimi i dytë i Komunës së Prishtinës është renditur “decentralizimi i betejës”.

“Qëllimi kryesor prej fillimit ka qenë ngadalësimi i përhapjes për ta përballuar sistemi jonë shëndetësor. 200 të shtrirë e përballojmë, 1200 jo. Përveç kësaj hospitalizimin e kemi centralizuar në QKUK duke koncentruar edhe barrën në një grup të personelit shëndetësor. Për ta përballuar numrat e ri duhet ta decentralizojmë betejën. Prej fillimit kemi potencuar skenarët. Kjo nuk është bërë dhe tash jemi në panik si Kosovë. Tash duhet përgatitja e secilit institucion – spitalet regjionale, shëndetësia primare të riorganizohen për të krijuar qendra të Covidit për trajtim të komplikimeve të lehta ndërsa QKUK të trajtojë rastet më të rënda”, ka thënë i pari i kryeqytetit.

Ahmeti ka shtuar se preventiva duhet të fokusohet tek grupet e rrezikuara, duke vënë në theks të moshuarit dhe personat me sëmundje shoqëruese.

“Për ata qytetarë që nuk kanë përkujdesje duhet të organizohen grupe të vullnetarëve për të ju ndihmuar në furnizime që të shmangen kontaktet. Ata me sëmundje shoqëruese duhet të ruhen edhe më shumë”, ka propozuar ai.

Ahmeti ka thënë se duhet të shtohet kujdesi për hapësirat e mbyllura dhe të diskutohet me institucionet e bizneset.

“Nevojitet një kohë për ta ngadalësuar virusin pa u mbyllur prapë. Disa institucione do ti mbyllim e disa kërkojnë thjeshtë mirëkuptim e solidaritet. Të gjithë duhet ta bëjmë punën tonë. Vendimet janë të kota në qoftë se ne nuk jemi të përgjegjshëm për vetën tonë. Kur po thonë se ka njerëz me virus që po dalin pa problem në rrugë, nuk mund të besoj që dikush mund të jetë aq i papërgjegjshëm sa ta rrezikojë jetën e dikujt”, ka thënë ai për propozimin e katërt.

Në pikën e pestë, Ahmeti ka thënë se lufta do të humbet nëse ka fatalitete të shumta ose nga kriza ekonomike. Këtu ka fajësuar partitë politike për mosunitet.

“Luftën mund ta humbim nga virusi në qoftë se kemi fatalitete të shumta (deri në 1600 sipas parashikimeve të skenarit më të keq) ose nga kriza ekonomike në qoftë se aktiviteti ekonomik cungohet edhe më shumë e që po duket. Por do të kapitullojmë krejt në qoftë se partitë politike vazhdojnë avazin e muajve të fundit. Fërkime të duarve për numra të infektuarve për shkak të luftës partiake ose mospagesa të ndihmës ekonomike për ta forcuar karrigen janë veprime të pafalshme. Do të ju mbesin në qafë vuajtjet e këtij populli të shkaktuara komplet pa nevojë”, ka shkruar ai duke përfunduar me “Lufta ende nuk është e humbur por kërkon strategji, vullnet, solidaritet e përgjegjshmëri”.

Nga 4100 rastet me COVID-19 në Kosovë, kanë vdekur 86 persona. Të shëruar janë 2063 e raste aktive 1951.

Pas shtimit të rasteve, nga fillimi i javës në kryeqytet është kufizuar lëvizja e qytetarëve nga ora 21:00 deri në 05:00.


SHIKO EDHE: 7 SIMPTOMAT QË JU TREGOJNË NËSE KENI COVID-19