Lajme

Situata me COVID-19 në Kosovë, nga e hëna nis lehtësimi i masave kufizuese

Në Kosovë nga nesër pritet të fillojë lehtësimi i masave kufizuese kundër përhapjes së COVID-19, shkruan Gazeta Sinjali.

Qeveria e Kosovës vendosi të premten lehtësimin e masave kufizuese pas vlerësimeve se situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme dhe është shënuar rënie e rasteve të reja të të prekurve nga COVID-19.

Nga nesër hiqet kufizimi i lirisë së lëvizjes dhe zgjatet deri në orën 23:00 orari i punës së kafeneve dhe restoranteve. Po ashtu, mbajtja e maskave nuk do të jetë e detyrueshme kur një person është vetëm në mjedise të jashtme.

Megjithatë, nga mesnata deri në orën 05:00, nuk do të lejohet grumbullimi i më shumë se dhjetë personave, qoftë në mjedise të hapura, qoftë në mjedise të tjera, përveç në mjediset familjare.

Krahas lehtësimit të masave ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar se është arritur një marrëveshje me kompaninë Pfizer për blerjen e 1 milion e 213 mijë e 290 dozave të vaksinës për COVID-19.

Ditë më parë, Qeveria e Kosovës, konkretisht Ministria e Shëndetësisë, ka njoftuar se zyrtarisht është arritur marrëveshja për sigurimin e 1 milion e 213 mijë e 290 vaksinave antiCOVID me Pfizer.

Sipas MSH-së, me vaksinat e siguruara, synohet që deri në fund të vitit 2021, të vaksinohen 60 për qind e popullsisë.

Që nga marsi i vitit të kaluar Kosova ka regjistruar 107 mijë e 405 raste të të prekurve nga koronavirusi. Prej tyre 2 mijë e 243 veta kanë humbur jetën.