Lajme

Si u zgjua rivaliteti i vjetër – Fatmir Sejdiu e hallakati dje Isa Mustafën

Që nga nëntori i vitit 2010, kur e kishte përjetuar shijen e hidhur të humbjes nga këshilltari i tij në Presidencë, Fatmir Sejdiut kurrë nuk i është hequr meraku për t’u kthyer në krye të LDK-së. Sejdiu e ka mbajtur në mënyrë konstante interesimin dhe prononcimet për zhvillimet në parti, por tani që LDK-ja është afër Kuvendit Zgjedhor, ai është shprehur haptas se do të kandidojë.

Lajmi i djeshëm që ka prodhuar ish-presidenti i vendit, ka zgjuar rivalitetin e vjetër me Isa Mustafën kryetarin aktual të LDK-së. Djali i tij, Besniku, duke treguar se çështja e kryetarllëkut është edhe familjare, ka bërë një postim duke e bërë me dije se babai i tij është në lojë.

Vetëm edhe pak ditë i kanë mbetur Lidhjes Demokratike të Kosovë nga zgjedhja e kryetarit të partisë. Duke ditur se nuk e patën fort të lehtë në asnjë nga proceset zgjedhore, kjo situatë po nxehet edhe më shumë tash kur publikisht po tregohen ambiciet për kandidatura.

Vetëm dje publikisht një dëshirë të tillë e shpërfaqën tre nga garda e vjetër e partisë, Isa Mustafa, Agim Veliu e Fatmir Sejdiu. Qejfi i Lutfi Hazirit për ta trashëguar postin e Mustafës, tash veçse dihet, shkruan Gazeta Express.

Lidhja Demokratike e Kosovës, që kaloi që nga marsi procesin zgjedhor në disa raste me grushte e karrige, u mundua që t’i mbajë sekrete emrat që po tentojnë që të jenë pasardhës të Isa Mustafës në parti për katër vitet e ardhshme.

Asnjë kandidaturë, deri këtë të shtunë nuk do të zyrtarizohet, ani pse sinjale nuk dha vetëm një, po disa anëtarë të kësaj partie politike.

Ishte kreu aktual i Lidhjes, Isa Mustafa, që mbajti postin për dy mandate ishte ai që shfrytëzoi vikendin për t’i rënë në sy mediave, se rruga e tij në politikë e si kryetar nuk do të ndalet me kaq.

Besnik Mustafa, djali i tij, dje përmes një shkrimi që thoshte se janë të disponuar për sfidat e radhës, derisa pozonte krahas të atit, duke lënë të kuptohej se Mustafën me tre gusht e pret sfida e tretë në garën për kryetar.

Isa Mustafa asnjëherë nuk e ka mohuar se nuk do të synonte të vazhdojë në këtë pozitë, madje, këtij të fundit, publikisht i kanë dalë në mbështetje edhe anëtarë të partisë, siç është deputeti Ramiz Kelmendi.

E se do të kthehet në Kuvendin Zgjedhor, nga ku nuk ka kujtime fort të mira, e ka konfirmuar dje për Gazetën Express, edhe Fatmir Sejdiu. Duke pohuar se është i gatshëm ta marrë udhëheqjen e LDK-së, ai ka shtuar se gjithçka do të zyrtarizohet në Kuvend.

“Siç kam thënë disa herë, unë e kam shprehur gatishmërinë time që ta marr përgjegjësinë e udhëheqjes së LDK-së. Deri në ditën e mbajtjes së kuvendit, unë do t’i analizoj të gjitha rrethanat lidhur me kandidaturën time. Ato, siç edhe është rregulli, paraqiten në kuvend”, ka shtuar ai.

Si duket pikërisht kjo deklaratë e Sejdiut e ka xhindosur Mustafën në fundjavë.

Dy burrat ishin përballur rreth 10 vite më parë për kreun e partisë. Sejdiu si ish-Presidenti i Kosovës i rrëzuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Isa Mustafa si ish-këshilltar i tij që deri në momentet e fundit ia kishte fsheh shefit dëshirën për t’u bërë kryetar.

Që nga nëntori i vitit 2010, kur e kishte përjetuar shijen e hidhur të humbjes nga këshilltari i tij në Presidencë, Fatmir Sejdiut kurrë nuk i është hequr meraku për t’u rikthyer në krye të LDK-së.

Sejdiu e ka mbajtur në mënyrë konstante interesimin dhe prononcimet për zhvillimet në parti, por tani që LDK është afër Kuvendit të VI Zgjedhor, ai dhe është shprehur haptas se do të kandidojë. Lajmi i djeshëm që ka prodhuar ish-Presidenti i vendit, i ka rënë në kokë Isa Mustafës, kryetari aktual. Djali i tij, Besniku, ka bërë një postim duke e bërë me dije se babai i tij është në lojë.

Por, mbetet të shihet si do të rrjedhë kjo betejë tash pas 9 vitesh.

Por, një luftë të nxehtë për pozitën e kryetarit janë duke e bërë edhe nënkryetarët Agim Veliu e Lutfi Haziri. Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu ka shprehur ambicie për të marrë postin e kryetarit, e se edhe ky i fundit pati thënë se ka mbështetjen e disa personave në parti për këtë çështje. Madje gjatë javës që shkoi Veliu ka nxjerrë një tortë për ditëlindjen e tij ku shkruante “urime kryetar” dhe akronimi LDK.

Lutfi Haziri, kandidaturën e tij e ka paralajmëruar tash e disa vite, e se aktiviteti i tij politik, këto kohët e fundit po bëhet me intensitet të shtuar. I njejti si rrallë herë po flet për të ardhmen e partisë, në paraqitjet e tij të shumta publike.

Se kush është më i forti në LDK, do të kuptohet të shtunën, por, që kësaj rruge nuk e ka mohuar se do t’i hyjë edhe shefi i deputetëve të kësaj partie në Kuvend, Avdullah Hoti. Këtë vikend, Hoti nuk e ka mohuar mundësinë për t’i hyrë garës.

Vjosa Osmani, deputetja më e votuar grua, është ajo që ka qëndruar më së shumti nën hije në krejt procesin e zgjedhjeve të brendshme. Duke ditur se një kandidaturë për kryetar nuk ju pat lejuar katër vite më parë, ajo ende nuk ka treguar se çka do të veprojë ditën e tre gushtit.

Gara në LDK u nxeh edhe më shumë me dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj. Personi që do të merr udhëheqjen e partisë po flitet edhe për kandidat për kryeministër, në rast se vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme./GazetaExpress


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?