Shtyhen provimet deri në këtë datë
Të gjitha provimet e parapara për afatin e shtatorit, nëpër institucione të arsimit të lartë, janë pezulluar deri më datë 26 të këtij muaji.
Gjithashtu edhe mbrojtja e diplomave ani se gjatë këtij procesi më së shumti katër deri në pesë persona janë të pranishëm.
E vendimi i këtillë i Qeverisë qe aq i shpejtë, sa i zuri në befasi edhe vetë drejtuesit e rektoratit.
Kundër kësaj mase që hyri në fuqi nga e hëna, është edhe stafi akademik i Universitetit të Prishtinës sikurse edhe studentët.
Drejtuesit e njësive akademike konsiderojnë se është dashur që të lejohen t’i organizojnë vetë provimet dhe aktivitetet tjera krahas situatës dhe konform rregullave pandemike.
E sa i përket provimit pranues për afatin e dytë të regjistrimit të studentëve të rinj, që është caktuar të mbahet me 23 shtator, rektorati ka kërkuar përmes një shkrese sqarim zyrtar nga qendra operative emergjente e Ministrisë së Shëndetësisë ku ndër të tjera i kanë potencuar se shtyrja e provimeve pranuese dhe më pas vonesat eventuale mund të sjellin telashe me regjistrim të studentëve edhe në sistemin për menaxhimin e informatave në arsimin e lartë dhe në fillim të studimeve për ta.