Lajme

Shteti mik i Kosovës kërkon që taksa të lihet anash, të vazhdohet dialogu

Shteti mik i Kosovës kërkon që taksa të lihet ashash, të vazhdohet dialogu

Kosovën sot e ka vizituar ministri i Punëve të Jashtme të Finlandës, Pekka Haavisto, i cili tha se çështja e taksës të lihet anash dhe bisedimet me Serbinë të vazhdojnë.

Haavisto i cili u prit nga ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, tha se vendi i tij ofron mbështetjen e plotë që dialogu me shtetin serb të vazhdojë.

Sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, ai tha se janë duke punuar por që kjo çështje i takon Këshillit të BE-së.

“Ka disa çështje që edhe ju i përmendet që do të thotë ndoshta nuk kanë avancuar aq shumë sa ne do të dëshironim, veçanërisht aspekti i bisedimeve Kosovë-Serbi. E keni mbështetjen tonë të plotë për t’i vazhduar bisedimet, sigurisht është mesazhi ynë edhe në Serbi. Neve nuk na pëlqen që ka avokim kundër jush në disa kontekste kjo nuk është e pranueshme dhe gjithashtu ka disa çështje sa i përket tarifës dhe politikave shpresoj të gjitha këto çështje të lihen anash dhe bisedimet me Serbinë të vazhdojnë”, tha ai.

Në anën tjetër, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, tha se e ka njoftuar homologun e tij për të gjitha çështjet me të cilat po përballet vendi.

Pacolli tha se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Finlandës janë të mira, ku përmendi se kanë nënshkruar disa marrëveshje dhe nisma.

Ai tha se homologun e tij e ka informuar se qeveria e ardhshme do të jetë shumë më e kujdesshme në krijimin e kushteve për të filluar dialogu me Serbinë.

“E informova se qeveria e ardhshme do të jetë shumë më e kujdesshme në krijimin e kushteve për të filluar dialogu me Serbinë dhe për të filluar e për t’u kryer me marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes Kosovës dhe Serbisë, ku Kosovës do t’i hapet rruga për anëtarësimin ne organizatat vitale botërore. E informova se Kosova është duke punuar sipas programit në implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, po ashtu e informova kolegun tim për situatën në të cilën ndodhemi ne në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian sa i përket lëvizjes së lirë dhe vizave. Duke e ditur se ne kemi marrë disa pëlqime nga Bashkimi Evropian për tërheqjen e kushtit të vizave për kosovarët dhe mbetet edhe vendimi i fundit. Kolegu im tha vet se do të angazhohet me çdo gjë që ka në dispozicion që në mënyrë korrekte edhe kosovarët të kenë të drejtë të udhëtojnë lirshëm. Unë shpreha edhe një dëshirë që kjo të ndodhë gjatë presidencës së Finlandës dhe unë besoj se është e qartë se Finlanda do të mbështetë këtë iniciativë”, tha ai.

Pacolli tha se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, derisa theksoi se vendi ynë gjendet në luftë permanente kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ai tha se homologun e tij e ka njoftuar edhe për politikën e jashtme të vendit, ku përmendi atë se Serbia po vazhdon që të punojë për ta dëmtuar Kosovën në politikën e jashtme.

Ministri i Punëve të Jashtme të Finlandës, Pekka Haavisto gjatë ditës është takuar edhe me kryeministrin në detyrë Ramush Haradinaj.


SHIKO EDHE: Si do të duket jeta pas COVID-19?