Lajme

Shqipëri, Nesër do të zhvillohet provimi i parë i Maturës Shtetërore

Ditën e nesërme në orën 10:00 do të mbahet provimi i parë i Maturës Shtetërore në Shqipëri.

Si kurrë ndonjëherë, ky provim i parë do të zhvillohet nën masa të larta sigurie.

Po ashtu, ata do të kenë distancë nga njëri-tjetri, gjë e cila ka ndodhur për shkak të frikës së kopjimit, ndërsa këtë vit do të forcohet ehde për shkak të Covid-19.

Të gjithë personat që do të jenë të pranishëm gjatë zhvillimit të testit do të jenë të pajisur me maska dhe doreza.

Ndërkohë, për shkak të pandemisë në ambientet ku do të kryhet provimi do të bëhet dezinfektim dhe çdo klasë do të ketë maksimumi 15 nxënës që do të mbikëqyren nga një koordinator.

Nga ana tjetër, ministrja e Arsimit, Besa Shahini u ka uruar suksese nxënësve të cilët ditën e nesërme kanë provimin e parë të Maturës Shtetërore.

“Arritëm ta mbyllim këtë vit të vështirë shkollor, falë qëndrueshmërisë së nxënësve, durimit të prindërve dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm të mësuesve tanë që brenda një kohë të shkurtër e përballën me sukses realitetin e krijuar nga tërmeti shkatërrues dhe pandemia vdekjeprurëse”, tha Shahini.

Mirënjohje të veçantë për secilin prej jush! Tashmë jemi në atë “fazën finale të maratonës” për maturantët tanë, të cilët ditën e nesërme kanë provimin e parë të Maturës Shtetërore. Suksese të përzemërta secilit prej tyre në çdo provim dhe i dëshiroj gjithë të mirat në rrugëtimin e tyre jetësor./Ora News.tv/