Shqetësuese: Mbi 100 policë lanë punën veç sivjet shkaku i pagave, raportohen mungesa edhe në veshmbathje
Kushtet e punës së zyrtarëve të Policisë së Kosovës janë kthyer sërish në fokus pas shumë raportimeve mediale se ato nuk janë plotësuar sa duhet e si duhet nga shteti. Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, tashmë ka ngritur edhe pretendime tjera shqetësuese.
Ai ka folur konkretisht për largimin e policëve nga Policia e Kosovës. Nuk po flasim për serbët që u dorëheqën pas instruksioneve nga Beogradi. Po flasim për të gjithë, kryesisht shqiptarët, që sipas Zeqirit janë larguar shkaku i pagave të ulëta dhe kushteve tjera.
Dhe numrat janë jashtëzakonisht shqetësues. “…edhe kjo çështje është shqetësuese në Policinë e Kosovës sepse jo vetëm tani po në vazhdimësi kemi dorëheqje vullnetare dhe ta them kështu, që nga themelimi i Policisë së Kosovës i kemi diku mbi 1200 dorëheqje vullnetare,” – u shpreh ai.
Por, numrat janë edhe më shqetësues për vitin 2022.
Sipas kryesindikalistit Imer Zeqiri, janë mbi 100 zyrtarë policorë që kanë dhënë dorëheqje për shkak të pagave të ulëta dhe kushteve tjera.
“Vetëm këtë vit i kemi mbi 100 zyrtarë policorë që kanë dhënë dorëheqje vullnetare nga Policia e Kosovës dhe kryesisht këto dorëheqje janë për shkak të pagave të ulëta dhe kushteve tjera,” – informoi kryetari i SPK-së.
Një tjetër problem i adresuar është edhe pensioni. Çka ndodh me policët e kosovës pasi dalin në pension pasi i mbushin 65 vjet?
Zeqiri u shpreh se prioritet e kanë pensionimin e parakohshëm të policëve në moshën 55 vjeçare.
“Prandaj jemi pa pension aktualisht dhe ligji për pensionimin e zyrtarëve policorë në moshën 55 vjeçare është njëra ndër prioritetet përkundër edhe shumë prioriteteve tjera. Jo, mos të themi vetëm për zyrtarët policorë, por definitivisht ndoshta jemi më keq se të gjitha institucionet tjera.”
or, ka edhe më keq. Policia duket se po përballet me mungesa edhe sa i përket uniformave dhe veshmbathjeve për policë.
“Aktualisht është bërë një furnizim edhe me këpucë edhe me çizme mirëpo nëse flasim për numrin e përgjithshëm të policisë apo në krejt territorin e policisë, ende kemi mungesa edhe të çizmeve, edhe të këpucëve edhe të uniformave, edhe kjo është si pasojë e moskalimin të disa tenderëve,” – u shpreh z. Zeqiri.
Kryesindikalisti Zeqiri kishte qenë mes zërave më të kumbueshëm në kohën kur nuk raportohej fare për zyrtarët policorë të Kosovës që kishin mbetur të bllokuar për dy javë në Jarinjë dhe Leposaviq.
Ndërkohë, kryeministri i vendit Albin Kurti duke u arsyetuar për rastin e dhunës në oborrin e QKUK-së kishte deklaruar edhe se Kosova i kishte më pak se 10 mijë policë për mbi 300 mijë familje. /Nacionale