Lajme

Shpërthimi në portin e Bejrutit, 27 viktima e 2500 të plagosur

Një shpërthim masiv u regjistrua pasditen e kësaj të marte (4 gusht) në kryeqytetin e Libanit, Bejrut duke plagosur një numër njerëzish dhe duke shkaktuar dëme të mëdha.

Deri më tani janë regjistruar të paktën 27 viktima dhe 2500 të plagosur.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 17:30 me orën lokale dhe tronditi disa pjesë të kryeqytetit të vendit dhe një re tymi e dendur ka mbushur qendrën e tij.

Sipas njoftimeve shpërthimi ishte përqendruar pranë portit të Bejrutit duke sjellë për pasojë shkatërrim në shkallë të gjerë e duke copëtuar dritare që ndodheshin disa kilometra larg si dhe shumë ndërtesa të tjera.

Disa stacione televizive lokale raportuan se shpërthimi ndodhi në portin e Bejrutit brenda një zone ku magazinoheshin eksplozivë por nuk dihen ende shkaqet e shpërthimit.

BBC shkruan se spitalet janë të mbushur me persona të plagosur ku shumë prej tyre janë në gjendje kritike për jetën.

Gjithashtu reporterët në terren të BBC shprehen se dëmi është aq i madh sa mund ta nxjerrë portin jashtë funksionit.

Ndërkohë vijon dhe operacioni i autoriteteve për të shpëtuar qytetarë të cilët janë nën gërmadha.


SHIKO VIDEON