Lajme

Shpenzohen vaksinat, të moshuarit akuzojnë qeverinë: Po ndihemi të rrezikuar

Kontingjenti i parë i vaksinave prej 24 mijë dozave tanimë është shpenzuar. Personeli shëndetësor, të moshuarit mbi moshën 75 vjeçare dhe të sëmurit kronikë patën fatin të vaksinohen, por shumë të moshuar që nuk patën fatin e njëjtë kërkojnë nga Qeveria Kurti që sa më shpejtë të sigurojë vaksinat e radhës.

Adem Aliu, një i moshuar mbi 70 vjeçar nga Prishtina thotë se ndjehet i rrezikuar nga Covid-19, andaj kërkon nga Qeveria që të ketë prioritet sigurimin e vaksinave.

Ai kritikon Qeverinë që ndau milionat për kompani që nuk patën humbje gjatë pandemisë, duke thënë se më e nevojshme do të kishte qenë vaksinimi i popullatës.

“Tash krejt popullsia e botës janë të rrezikuar sikur edhe ne. Por tash mosha e vjetër është pak më e rrezikuar, tash me të vërtetë kemi nevojë ndoshta edhe për siguri edhe për veti edhe për mos me përhap në familje e në rreth sëmundje. Kemi nevojë për me u vaksinua edhe kem dëshirë me u vaksinua…1:20Sipërmarrjet e mëdha ushqimore nuk kanë pasur kurgjo humbje për këtë sëmundje iu kanë dhënë miliona euro, ma mirë ka qenë me i sigurua vaksinat se me ju dhanë atyre që nuk kanë pas asnjë humbje”, thotë ai.

Edhe Ukë Osmanaj, 68 vjeçar thotë se do të dëshironte të vaksinohej, në mënyrë që të mbrojë veten, por edhe familjarët.

Ai pret nga Qeveria që sa më parë të sigurojnë vaksinat e radhës.

“Gjithsesi kisha pas dëshirë me u vaksinua, besoj që jo vetëm unë por të gjithë të moshuarit por pa përjashtim edhe popullata duhet të vaksinohet edhe pres nga Qeveria. Për fat të keq deri më tash numri është shumë i vogël i vaksinave por shpresojmë që në ndërkohë do të vijnë vaksinat”, tha ai.

Por Bexhet Reka, 71 vjeçar për t’u vaksinuar prioritet i sheh personelin shëndetësor, punëtorët e arsimit, policinë dhe ushtrinë.

“Unë vërtet kam qejf por edhe besoj që kjo qeveri detyrë parësore e ka furnizimin me vaksina. Ata po i premtojnë duhet t’i kërkojmë prej tyre, nëse premton diçka duhet të zbatohet ai premtim, detyra e këtyre është me u krye ky vaksinim si në popujt e tjerë…6:00 Kush është prioritet më së shumti ai le te merrë… ata që janë në ballë të frontit, arsimi, shëndetësia e policia, ushtria e tani me ardh tjera kategori”, tha ai.

Gjithashtu edhe i moshuari tjetër, Ismail Hamiti thotë për Kosovapress se me prioritet duhet të vaksinohen personeli shëndetësor dhe policia, e pastaj personat e moshuar.

“Për njëherë mundësitë janë të kufizuara që të bëhet diçka në atë aspektin se a duhet të bëhemi të gjithë sepse janë disa kategori të cilat duhet të kenë një prioritet, p.sh shëndetësia që punojnë aty janë të rrezikuar drejtpërsëdrejti mandej edhe policia… ata duhet të vaksinohen mandej do mosha kështu të shtyra siç jemi ne”, tha ai.

Deri më tani me dozën e parë të vaksinës AstraZeneca janë vaksinuar 22.096 persona nga 24.000 dozat e para të marra përmes mekanizimit COVAX.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?