SHBA qartë, shkurt dhe pastër për Kosovën: “Shtëpia është në flakë”
Situata e tensionuar tash e disa ditë në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, ka alarmuar aleatët ndërkombëtarë për një eskalim të mundshëm. Gjatë një takimi me gazetarët kosovarë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffery Hovenier, ka thënë se çështja është shumë urgjente, teksa si shembull krahasues ka marrë “një shtëpi që po digjet”, raporton Gazeta Sinjali.
Hovenier ka shprehur shqetësimin e aleatit kryesor të Kosovës për situatën në veri, teksa ka thënë se kjo krizë nuk ka qenë e nevojshme dhe krejt kjo situatë ka ndikuar negativisht në imazhin e shtetit më të ri në Evropë.
Po ashtu sipas tij janë dëmtuar edhe përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Jemi shumë të shqetësuar për situatën në veri dhe besojmë që kjo krizë nuk ishte e nevojshme. Veprimet e ndërmarra të premten për të marrë qasje në ndërtimet publike nuk ishin të koordinuara me SHBA-të, dhe kur e morëm vesh fuqishëm thamë jo sepse parashikuam pasojat që po i shohim tash. Besojmë që kishte impakt negativ për imazhin e Kosovës dhe i dëmtoi përpjekjet për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe siç e kemi thënë (Sekretari Blinken) kryeministri po i afekton raportet mes Kosovës dhe ShBA-së”, citohet të ketë thënë në hyrje të fjalës së tij ambasadori amerikan në Kosovë.