Lajme

“Servilë e paçavra” – kush në VV po ia zë rrugën yllit të Qeverisë “Kurti 1”

Ngritja e Haki Abazit në Lëvizjen Vetëvendosje ishte e shpejtë. Rënia e tij edhe më e shpejtë. I lënë anash, ose i tërhequr vetë, Abazi ka shpërthyer me pakënaqësi ndaj pushtetit, të cilin e ka partia e vet.

Në zgjedhjet e fundit, qytetarët ishin dorëlirë me listën e LVV-së, por jo aq sa të përfitonte edhe Haki Abazi. Numri dy i Qeverisë Kurti I, mezi u bë deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit, kur më shumë se gjysma e listës zgjedhore e VV-së arritën të hynin në Kuvend.

LVV mori mbi 438 mijë vota, më së shumti që një parti ka marrë ndonjëherë në Kosovë. Abazi ishte krejt i fundit në listë, si deputeti i zgjedhur me më së paku vota. I kishte 7587 sosh.

Haki Abazi ishte bërë zyrtarisht pjesë e partisë së Albin Kurtit në gusht të 2019, pak para fushatës zgjedhore.

Atë e kishte prezentuar Kurti, me një biografi të shkurtër me plot vlerësime për të. Haki Abazi, shkruante Kurti, ka punuar dhe jetuar në 120 shtete në këto 20 vjet.

‘Njohuritë e gjera dhe eksperienca zhvillimore e Hakiut në Kosovë dhe vende të ndryshme nëpër botë, e bëjnë atë një vlerë të shtuar në Lëvizjen tonë”, shkruante Kurti për ardhjene e Abazit.

Pas disa muajsh, Abazi e gjeti vetën zëvendëskryeministër në Qeverinë e parë të Albin Kurtit. Atë e shihje kudo, në Qeveri, në studio televizive, në Facebook.

Prej kur është bërë Qeveria Kurti II, Abazi, ndër më aktivët rreth Kurtit, u pasivizua. Por, nuk dihet se a me vullnetin e tij, apo të liderit. Herën e fundit Abazi mori vëmendjen e popullit ishte përleshja fizike e tij me Dardan Molliqajn, pas një debati në Pressing të T7.

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës nuk mori asnjë pozitë në Qeverinë e re. Ai tani është deputet joaktiv në debatet parlamentare. Abazi ka qenë aktiv kaherë në Facebook, ku zakonisht ka sharë të tjerët, si media, personazhe publike dhe kundërshtarë politikë. Se fundmi, ka nisur po aty të shprehë pakënaqësi ndaj pushtetit, që e ka partia e tij.

Për shembull, dje kishte zgjedhur të flas për “servilë” e “paçavra”, me të cilët, sipas tij po tentohet të zhvillohet shteti. Ai fliste edhe për rehabilitim të atyre që kanë qenë bashkëpunëtorë të pushteteve të kaluara.

“Pyetja është nëse me servilë e poçavra të ndyera mund të ndërtohet e zhvillohet shteti? A duhet ndryshimi të reduktohet në rehabilitim të atyre që i kanë shërbyer në një formë atij sistemi të korruptuar e kriminal që synohet të ndryshohet!?”, shkroi Abazi.

Nuk dihet se për kë e ka fjalën, pasi në gjirin e LVV-së janë shumë prej ish-funskionarëve të PDK-së, LDK-së, AAK-së, e partive të tjera. Ndër ta, edhe shefja e Grupit të LVV-së në Parlament, Mimoza Kusari, e cila ka qenë zyrtare e lartë e AKR-së dhe bashkëpunëtore e shumicës së partive në vend.

Nëse do ta kishte për Kusarin, nuk do të ishte diçka e re për Abazin. Ai, pa qenë pjesë e LVV-së, kishte kishte ofenduar politikanen.

Ai e akuzonte Kusarin për votën pro demarkacionit, duke thënë se “kur vjen puna”, ajo i shkon pas ish-Presidentit Hashim Thaçi dhe që “ka në qafë kartelat e Behgjet Pacollit”. E përqeshte edhe për hapjen e partisë së re “Alternativa”.

Së fundmi, Abazi ka zbuluar se nuk është i kënaqur as me qasjen për dialogun Kosovë – Serbi.

“Edhe në fillim ka qenë e gabuar hyrja e Kosovës në dialog me Serbinë, mirëpo edhe sot kur vazhdon ky dialog është qasje e gabuar. Kjo sepse është një koncept i “pushkës së mbushur” për Serbinë, e për të cilën po shihet qartazi që nuk ka asnjë interes të ketë marrëveshje me Kosovën”, tha Abazi dy javë më parë në një intervistë televizive. (Marrë nga Gazeta Express)


SHIKO EDHE: 10 teknologjitë e lashta për të cilat shkenca ende nuk ka përgjigje