Lajme

Sërish mungojnë barnat nëpër spitalet publike

Thuajse në të gjitha spitalet regjionale edhe më tutje janë duke munguar barnat e listës esenciale. Drejtori Klinik në Spitalin e Gjilanit, Nisret Hajrullahu, ka thënë se aktualisht janë duke munguar 22 barna nga lista esenciale.

Institucionet publike shëndetësore në Kosovë vazhdojnë të mos i përmbushin të gjitha kërkesat e pacientëve sa i përket furnizimit me barna nga lista esenciale, si dhe furnizimit me material shpenzues. Për shkak të mungesës së furnizimit qytetarët detyrohen t’i blejnë vetë produktet medicinale, të cilat u nevojiten për trajtime mjekësore.

Drejtori Klinik në Spitalin e Gjilanit, Nisret Hajrullahu, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se furnizimi me barna nga lista esenciale në këtë spital nuk është as 60%. Sipas tij, furnizimi me material shpenzues është edhe më i ulët.

“Diku 35% është furnizimi me material shpenzues, ndërsa me barna diku 55%. 22 barna nga lista esenciale na mungojnë. Në listë esenciale janë diku më shumë se 70 barna”, ka thënë ai. Për mungesat e këtyre produkteve medicinale Hajrullahu ka fajësuar operatorët ekonomikë.

“Nuk ka faj Ministria e Shëndetësisë, por këtu janë përgjegjës operatorët ekonomikë me të cilët ka kontraktuar Ministria e Shëndetësisë. Janë lidhur kontratat, por ata nuk i realizojnë ato”, ka thënë ai.