Serbët vendosin edhe një barrikadë në veri, thonë se “po mbrohen nga Policia e Kosovës”
Mediumi serb në Kosovë, “Kosovo Online” raporton se në Zubin Potok, saktësisht në Zupç, mbrëmjen e sontme është vendosur edhe një barrikadë tjetër. Siç mëson ky medium nga banorët e kësaj komune, kjo barrikadë është vendosur për siguri të qytetarëve për shkak të pranisë së pjesëtarëve të Njësive Speciale.
Ditë më parë u ngritën barrikada në disa vende në veri të Kosovës në shenjë proteste kundër arrestimit të Dejan Pantiqit në Jarinje. Në anën tjetër kujtojmë faktin se Gabriel Escobar, Zëvendës-Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit ka deklaruar se është çështje ditësh kur barrikadat do të hiqen.
Ndërkohë për të vëzhguar situatën në cep të rrugëve po qëndrojnë trupat mbrojtës të KFOR-it dhe policë të EULEX-it. E trupat nën stemën e Republikës së Kosovës, Policia po vazhdojnë patrullimin e vëzhgimin e situatës në Lagjen e Boshnjakëve e pjesët e tjera të Mitrovicës së Veriut.
Largimin e barrikadave në Rudarë e Zupç e kanë kërkuar diplomatët amerikanë edhe ambasadorët e QUINT-it por ende nuk ka sinjale se kjo do të bëhet në mënyrë vullnetare nga serbët lokalë që i vendosën ato.