Lajme

Selimi-deputetëve: Jeni duke e tepruar me të pavërteta

Shefi i grupit parlamentar të Lëvzijes Vetëvendosje, Rexhep Selimi reagoi pas akuzave të deputetëve lidhur me mungesën e simboleve shtetërore të Kosovës në disa zyre qeveritare, si dhe atë për dyshimet që ish-zëvendëskryeministri Haki Abazi është takuar me zyrtarë serbë.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Selimi të gjitha këto pretendime i quajti të pavërteta dhe shpifje.

“Jeni duke e tepruar me të pavërteta. Folni çka keni, të gjitha faktet nxjerrni hapur. Jeni tu dashtë me thon se edhe na jemi si ju. Jeni duke e tepruar me shpifje. Nëse keni diçka për Haki Abazin thuani, ku është takuar dhe me kë është takuar. Nëse keni diçka për simbole dilni e tregoni. Në asnjë zyre ku kanë qenë njerëz të VV-së, askund nuk ka pasur mungesë të simboleve shtetërore” reagoi Selimi.

Ndryshe, zëvendëskryeministrja e Kosovës nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Albulena Balaj-Halimi tha se kur ka shkuar në zyrën e saj pas marrjes së postit, aty nuk ka pasur asnjë simbol shtetëror të Kosovës.

Në seancën e Kuvendit, ajo tha se nuk e din se zyra e kujt ka qenë, por që sipas saj, në zyrën e saj në qeveri, nuk ka pasur as flamur shtetëror, e as Deklaratë të Pavarësisë.

Pas kësaj deklarate, reagoi deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, i cili tha se kjo gjë duhet të bëhet e qartë urgjentisht.

Sipas tij, duhet të dihet se zyra e kujt ka qenë ajo që “është zhveshur nga simbolet shtetërore”.

“Në cilën zyrë s’ka pas as flamur të Kosovës e as Deklaratë të Pavarësisë. Cila zyrë ka qenë e zhveshur nga simbolet e Kosovës. A ka qenë ajo e Haki Abazit, e Avdullah Hotit, apo e kujt”, ka pyetur Krasniqi. /Objektiv/


SHIKO EDHE: A JENI INFEKTUAR ME COVID-19