Lajme

Sejdiu tregon se si deshën ta eliminojnë Rugovën duke e gjuajtur me një vazo nga kati i tetë

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka thënë se Ibrahim Rugova ishte një politikan shumë i guximshëm.

“Ai ka bërë luftë të madhe për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në mënyrën e veçantë. Ai ka bërë punë të madhe në tolerancën dhe bashkëpunimin e afrimin e gjithë qytetarëve të Kosovës. Dhe pluralizmin politik, ka startuar në këtë kohë. Ai ka qëndruar në Prishtinë. Ai nuk është tremb prej gjithë asaj që ka ndodhë, kërcënimeve që ka pasur. Ka pasur dhe familja e tij” – ka deklaruar Presidenti I parë I Kosovës së Pavarur Fatmir Sejdiu.

“Dhe dihet ai incidenti… kam qenë jo larg, kur ka ndodhë në (vër. lagjen) Lakrishte, kur e kanë gjuajtur vazon dhe gati të binte në kokën e tij për ta lënë në vend. Një metodë shumë e egër dhe primitive të likuidimit të një njeriu. Këtë e ka shpjeguar dhe ai që ka qenë në përcjellje, prej katit diku 7-8 nuk e di saktësisht, në hyrje të banesës, ku kishte banuar Presidenti, është gjuajt prej së larti për me I ra në kokë” – ka thënë Sejdiu për indeksonline.

Ish-Presidenti Sejdiu ka përshkruar guximin e Rugovës si një njeri këmbëngulës që nuk është tremb nga presionet.

“Rugova e ka pasur trimërinë, guximin, këmbënguljen. Nuk është tremb prej këtyre presioneve, që kanë qenë shumë prej tyre perfide por dhe prej tyre shumë banale, që ndodhën. Ai nuk ka hyrë në konflikt me njerëzit. Nuk është tërheqë edhe në presione të mëdha për çështje statusi” – ka thënë Sejdiu.

Ibrahim Rugova ishte lideri I pakontestueshëm i viteve të 90-ta dhe i pas luftës në Kosovë.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?