Lajme

Sejdiu: T’i thërrasim zërit të arsyes për fuqizimin e testamentit të Rugovës

Ish presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka përkujtuar presidentin historik, Ibrahim Rugova në 13 vjetorin kur ai ndërroi jetë.

Përmes një postimi në Facebook, Sejdiu ka thënë se në memorien individuale të së cilit shihet sa e thellë është dhimbja për të, njëkohësisht dhe krenaria për të dhe veprën e tij.

Duke lartësuar veprën e tij për lirinë e Kosovës, Sejdiu ka thënë se në këtë ditë duhet t’i thërrasin të gjithë zërit të arsyes për fuqizimin e testamentit të Rugovës.

Ky është postimi i tij i plotë:

Në trembëdhjetë vjetorin e largimit nga kjo botë e Presidentit Historik të Republikës së Kosovës, themeltarit të shtetit të pavarur të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, në memorien tonë individuale e kolektive, shihet sa e thellë është dhembja që e ndjejmë, por njëkohësisht edhe e krenaria për të dhe për veprën e tij.

Rrugëtimin e tij të madh prej Udhëheqësi të Rezistencës Paqësore, për domosdonë e Lirisë e nisi në vitin 1989, në këtë vit të madh të kthesës po kështu të madhe.

Është pikërisht kjo kthesë, dhe pikërisht vitit 1989 i cili prodhon vitin 1998-1999, dhe 17 shkurtin e vitit 2008.

Pa ndalë, e pandashëm, në çdo përpjekje, në çdo hap të tij mision i pashmangshëm i tij ishte trinomi: Liri, Pavarësi dhe Demokraci.

Në rrethana të vështira, njëkohësisht edhe tejet të rrezikshme legalizoi dhe udhëhoqi vullnetin e qytetarëve të këtij vendi.

U vu në ballë të rezistencës dhe luftës së mbijetesës, duke dhënë shembullin e vetëorganizimit dhe vetëmbijetesës si askund tjetër, me qëllim të mbajtjes së njerëzve dhe kujdesin e përhershëm për ta.

Pikërisht, ky vetëogranizim dhe vetëfunksionim si në rrafshin politik, ekonomik, dhe kulturor mundësoi dhe fuqizoi edhe përpjekjen e madhe, në luftën për arritjen e Lirisë.

Projekti i tij, i bazuar në trinomin e madh u bë projekt nacional.

Ibrahim Rugova Paqësor e Paqedashës, u bë i pranueshëm si në rrafshin kombëtar, po ashtu edhe në atë ndërkombëtarë.

Politika paqësore e tij njohu dialogun, bashkëbisedimin dhe respektin për secilin qytetar të këtij vendi, pavarësisht përkatësisë partiake apo fetare.

Ibrahim Rugova u identifikua me Kosovën, njësoj siç Kosova identifikohej, dhe identifikohet edhe sot me të.

Identifikim e njohje kjo që ndërkombëtarizoi dhe fuqizoi Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Kudo ku shkeli këmbë e tij, bëri miq për Kosovën. Duke prezantuar kështu edhe traditën e madhe të mikpritjes të shoqërisë sonë, dhe duke u treguar si një nacionalist i madh.

Kurdo dhe kudo e përsëriste testamentin e tij politik e kombëtar “Një Kosovë e pavarur e demokratike e inkuadruar në Bashkim Evropian e në strukturat euroatlantike, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është vullneti i popullit dhe do të qetësojë këtë pjesë të Evropës e të botës”.

Sot, në trembëdhjetë vjetorin e ikjes së Ibrahim Rugovës, duhet t’i thërrasim zërit të arsyes dhe përgjegjësisë individuale e kolektive në ruajtjen dhe fuqizimin e testamentit të tij./Indeksonline/


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?