Lajme

“Sapo kam kaluar Covid-in”, publikohet video e re e arrestimit të George Floyd

Një video e re, e siguruar ekskluzivisht nga “Daily Mail” tregon momentet e arrestimit të George Floyd, afro-amerikanit i cili humbi jetën ndërsa një efektiv policie i mbante gjurin mbi qafë, në Mineapolis, në 25 maj.

Në pamjet, e kapura nga kamerat e efektivëve Thomas Lane dhe Alex Kueng, të cilët janë gjithashtu të akuzuar për vrasjen e tij bashkë me policin tjetër Derek Chauvin, tregohet e gjithë dinamika e ngjarjes që në momentet e para të kontaktit të policëve me të.

Që në fillim polici i drejton pistoletën në kokë Floyd-it, ndërsa ai duket tepër i nervozuar. Floyd i thotë shpesh policëve që të mos e qëllojnë dhe vetëm pas disa minutash del nga makina e tij tip Mercedes dhe vihet në pranga.

Më pas efektivët përpiqen ta fusin në makinën e tyre, por aty ai bën rezistencë duke i thënë që është klaustrofobik. Në një moment dëgjohet të thotë: “Sapo kam kaluar Covid-in” dhe “do të vdes sot”…

Pas përpjekjës për ta futur në makinë, 46-vjeçari shtrihet në rrugë nga Chauvin i vendos gjurin mbi qafë, në pamjet tragjike tashmë të fiksuara në kamera dhe të përhapura në mbarë botën.

Floyd u ndalua nga Policia për shkak se akuzohej se ishte përpjekur të kryente një blerje me një kartëmonedhë 20 dollarëshe false.