Lajme

Sami Lushtaku: UÇK-ja luftohet nga Serbia, Rusia dhe Vetëvendosja

Ka disa muaj që është duke vazhduar një debat rreth qëndrimeve të qeverisë Kurti në raport me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Derisa ditëve të fundit është rikthyer në vëmendje një shkrim i vjetër i Hekuran Muratit, i cili tashmë është ministër i Financave në Qeverinë e Kosovës.

Në atë shkrim, Murati kishte thënë se si Kosovës veteranët po i kushtojnë më shtrenjtë sesa një ushtri e rregullt.

Lidhur me këtë qëndrim të Muratit në një përgjigje për Persikopin ka folur, ish-kreu i Skenderajt dhe një prej figurave kyçe të PDK-së, Sami Lushtaku.

Lushtaku ka thënë se UÇK-ja luftohet nga Serbia, shërbimet ruse dhe Lëvizja Vetëvendosje.

“Kjo fushatë kundër UÇK-së ka nisur bajagi herët, nga Serbia e shërbimet ruse, dhe Vetvendosja. Domethënë janë tre mekanizma që në vazhdimësi e kanë luftu UÇK’në. Edhe VV’ja sikur këto shërbimet serbe domethënë të njëjtin rregull e ka ndjekë”, ka thënë Lushtaku për Periskopin.

“Prandaj nuk është befasi prej Hekuran Muratit dhe prej Albin Kurtit, i pres edhe prej një pjese të VV’së këto goditje dhe unë mendoj që Kosova është çliruar prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe asnjë ushtar i UÇK’së nuk e ka besuar që ka me pshtu prej lufte, kurrë, ama kurrë, ai që e ka kapë pushkën po edhe një pjesë e qytetarëve që e kanë nimu luftën nuk e kanë besu që ne kemi mi pritë edhe pavarësinë e edhe institucionet tona”, ka vazhduar tutje Lushtaku./Express/