Lajme

Safet Gërxhaliu për tërheqjen e Trustit: Fyti është vëllai i detit

Vendim për t’u përshëndetur.

Ky është gjykimi i Safet Gërxhaliut për ekzekutimin e ndihmës prej 100 euro për 220 mijë punëtorët e sektorit privat, por edhe pakon 100 milionëshe në përgjithësi.

Megjithatë ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë se ky vendim vetëm zbut problemet e qytetarëve.

“Nuk është zgjidhje e problemeve, por zbutje e tyre. Duhet të mendohet për strategji afatmesme dhe afatgjatë. Me ndihma të tilla nuk mund të zgjidhjet kriza sociale në vend”, është shprehur ai për emisionin e ekonomisë, PORTOFOL në Klan Kosova FM.

Ai ka theksuar se me hyrjen e 100 milionëve në treg do të ketë luhatje të ofertës dhe kërkesës, që rrjedhimisht ndikon tek luhatjet e çmimeve.

Gjithashtu Gërxhaliu ka folur edhe për propozimin për tërheqjen e mjeteve nga Fondi Pensional i Kursimeve.

“Kur qeveria garanton që sasia 10-20-30 përqind do të rimbursohet, atëherë jam që të tërhiqen. Nëse nuk do të ketë rimbushje, atëherë do të jetë goditje për qytetarët, sepse këto mjete do të shpenzohen. Nuk ka mallkim më të madh për ta nëse i pret pleqëria edhe varfëria në të njëjtën kohë”.

“Duhet të ketë garanci që do të rimbursohen mjetet. Paratë shpejt harxhohen. “Fyti është vëllai i detit – sa do të ketë do të shpenzohet”.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?