Lajme

Sa do të kushtojë një test për COVID – 19 në laboratoret private pas licencimit?

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dje përmes një konference për media deklaroi se shteti e ka në mend që t’i blejë edhe 7 aparatura të testimit për Covid-19 për t’i vendosur në 6 qendra rajonale duke thyer kështu “monopolin” e Prishtinës ku mund të testoheshin deri tash kosovarët. Në këtë mënyrë nga Qeveria premtuan se do të rriten kapacitetet për testim virologjik ndërsa u zotuan se me kapacitetet ekzistuese do të kryhen deri në 500 teste brenda ditës. Por, për rritjen e kapaciteteve nëpër komunat kryesore të Kosovës duket se do të duhet kohë.

Aparaturat që kryejnë testimin e Covid-19, ende nuk janë blerë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë. Por krahas kësaj, duhen edhe trajnime për profesionistët e sistemit shëndetësor në mënyrë që të të mund t’i kryejnë testimet që zbulojnë Covid-19.

“Aparaturat do të blihen sa më shpejt që ka mundësi të sigurohen përmes procedurave ligjore të prokurimit që kryhen si nga BB ashtu edhe nga MSH dhe shërbimet e testimit pervec në IKSHPK, në institucionet e tjera do të fillojnë pasi të jenë siguruar pajisjet (në publik), trajnuar personeli dhe siguruar kushtet e sigurisë dhe testet e nevojshme”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë së Shëndetësisë.

E që Spitalet Private të fillojnë bërjen e testeve për Covid-19, ato fillimisht duhet që të licencohen nga ana e MSH’së si dhe t’i plotësojnë kushtet për kryerjen e testeve.

“Sektori privat gjithashtu, mund të fillojë pasi të jenë licencuar dhe t’i kenë plotësuar kushtet që do të vendosen nga MSH, përfshirë edhe monitorimin dhe mbikeqyrjen e plotë”, thuhet tutje në përgjigje.

E Ministria e Shëndetësisë ende është duke punuar për Planin e Veprimit i cili lidhet me procedurat e testimit për Covid-19. Ky plan pritet që t’i dërgohet Qeverisë së Kosovës deri në fund të kësaj jave. Përmes këtij plani, parashihet që Institucionet shëndetësore në Kosovë përfshirë edhe ato private të nisin kryerjen e testimeve

Kështu kanë deklaruar për Gazetën Express, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë.

Megjithatë, ende nuk dihet se kur saktë do të fillojnë spitalet private e ato rajonale punën sa I përket kryerjes së testeve të cilët do ta zbulojnë nëse një person ka pasur apo jo Covid-19.

“Ministria është në finalizim të Planit të Veprimit për Procedurat e testimit per Covid-19, i cili plan pritet që këtë javë t’i dërgohet Qeverisë për miratim. Në këtë plan parashiher qe kete jave t’i dergohet Qeverise per miratim”, kanë deklaruar nga MSH për Gazetën Express.

Por, ende nuk dihet se sa do të kushtojë kryerja e një testi për Covid-19 në spitalet private në vend. Për këtë cështje zyrtarë të MSH’së thonë se e gjithë kjo do të përcaktohet në bazë të një ligji

“Çështja e pagesave të shërbimeve përcaktohet me ligj, tash për tash, në sektorin publik për shërbime ka bashkëpagesa, kurse për RT-PCR në IKSHPK nuk pahuhet por ofrohet falas, ndërsa në institucione private shërbimet shëndetesore kryhen me pagesë”, thuhet në përgjigje.

E që e gjithë kjo të realizohet ka një kosto të kushtueshme financiare. Aparaturat pritet që të blihen përmes Projektit të Shëndetësisë Kosovare nga huamarrja e Bankës Botërore. Ndërsa një pjesë e saj do të financohet nga buxheti i shtetit.

“Plani ka edhe koston financiare, disa aparatura është paraparë përmes Projektit të Shëndetësisë Kosovare nga huamarrja e Bankës Botërore, ndërsa një pjesë e Planit dhe aktiviteteve të tij do të financohet nga buxheti i Kosoves”, thuhet në përgjigjet për Gazetën Express.

E vendi qe nga sot ka vene ka marre masat e reja kundër koronavirusit. Keshtu ka njoftuar kryeministri Hoti, pas mbledhjes së mbajtur të qeverisë.

Hoti ka theksuar se ky plani i specifikon në detaje veprimet, të cilat duhet t’i marrin institucionet shëndetësore.

Ai tha se qeveria do ta vë buxhetin në dispozicion, duke bërë të gjitha rialokimet e nevojshme për të blerë 100 mijë teste virologjike, 500 mijë vaksina të virusit sezonal, aparaturat e nevojshme për testim, të cilat i ka përmendur më herët, si dhe për vaksinat kundër koronavirusit, kur ato të zbulohen.

Në qytetet ku ka numër të madh të infektuarve, kryeministri Hoti njoftoi se në Prishtinë, Prizren, Ferizaj dhe Vushtrri, do të kufizohet tërësisht lëvizja e qytetarëve nga ora 21:00 deri në orën 05:00.

“Mbyllen të gjitha lokalet e gastronomisë nga ora 21:00 deri në orën 05:00. Jashtë kësaj periudhe, lejohet puna vetëm në hapësira të hapura dhe take away (merre me vete)”, tha Hoti.

Po ashtu, në institucione do të reduktohet numri i punëtorëve vetëm në stafin e domosdoshëm. Ndërkaq, në institucionet shëndetësore do të reduktohen të gjitha shërbimet që janë joesenciale.

Në transportin publik, numri i udhëtarëve do të përgjysmohet, tha Hoti, teksa prezantoi masat e reja.

Ai shtoi se qytetarët do të informohen në vazhdimësi lidhur me gjendjen me koronavirus. Ai tha se do të bëhen reportazhe nga Klinika Infektive, pasi sipas kryeministrit Hoti, shumë qytetarë nuk besojnë se koronavirusi ekziston.

“Në bazë të vlerësimeve, 30 për qind e qytetarëve në Kosovë nuk besojnë që COVID-19 është real. Ne do t’ju tregojmë sesi njerëzit përballen me jetën e tyre në Klinikën Infektive”, tha Hoti.

Hoti tha se do të krijohen aplikacione që qytetarët ta dinë nëse kanë pasur kontakt ose nëse jeni në kontakt me personat e infektuar me koronavirus, por gjithmonë duke ruajtur të dhënat personale të personave të infektuar.

Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë që prej regjistrimit të rasteve të para me koronavirus e deri më 4 korrik janë regjistruar 3,356 raste. Prej tyre, 66 pacientë kanë vdekur, 1,874 janë shëruar, ndërsa raste aktive vazhdojnë të jenë edhe 1,416 pacientë.

Gjatë ditës së diel është raportuar se edhe pesë pacientë kanë vdekur, por Hoti nuk konfirmoi vërtetësinë e këtij lajmi.


SHIKO EDHE: 7 SIMPTOMAT QË JU TREGOJNË NËSE KENI COVID-19