Lajme

Rritja e rasteve me COVID-19, IKSHPK-ja paralajmëron humbje të kontrollit

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë ka njoftuar se gjatë ditës së sotme se 44 raste të reja kanë rezultuar pozitiv me koronavirus, ndërsa 22 prej tyre janë shëruar.

IKSHKP-ja paralajmëron përkeqësim të situatës dhe humbje të kontrollit meqenëse nuk po respektohen masat mbrojtëse.

“Këta numra të këtyre ditëve flasin shumëçka. Këta numra tregojnë përkeqësim të situatës epidemiologjike me rrezik të shkuarjes drejt humbjes së kontrollit, si dhe drejt mbingarkimit pastaj të institucioneve shëndetësore, gjegjësisht të Klinikës Infektive ku fatkeqësisht personat me sëmundje shoqëruese dhe të moshuarit mund të përfundojnë fatalisht” thuhet tutje.

Ndryshe, IKSHKP-ja u ka bërë apel qytetarëve që t’i respektojnë masat mbrojtëse për shkak se mosrespektimi i tyre po shkakton përhapje të koronavirusit, transmeton Gazeta Sinjali.

“Si pasojë e mos bartjes së maskave nga ju, qytetarë të nderuar, po rrezikohet shëndeti i juaj dhe i qytetarëve të tjerë dhe po rëndohet situata e përgjithshme epidemiologjike që po mbahet nën kontroll me mund të madh të ekipeve të profesionistëve të Institutit Kombëtar”, thuhet në njoftim. /Gazeta Sinjali/