Rritja e numrit të infektuarve çon në 1 mijë e 20 raste aktive me koronavirus në Kosovë
Edhe pse dhjetëra të shëruar nga koronavirusi të cilët po shënohen çdo ditë në vendin tonë, po rrisin numrin e përgjithshëm të kuruarve, rastet e reja pozitive që po dalin çdo ditë janë ato të cilat po ndihmojnë që edhe numri i rasteve aktive të jetë i rritur, shkruan Gazeta Metro.
Së fundmi numri i të infektuarve me virusin korona ka kaluar shifrën mbi dy mijë qysh nga 13 marsi kur u regjistruan edhe dy rastet e para pozitive me Covid-19, ndërkaq numri i rasteve aktive sot ka arritur në 1 mijë e 20.
Kështu ka bërë të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në njoftimin e saj të përditshëm, ku kanë njoftuar se vetëm brenda 24 orëve të fundit, janë regjistruar 75 raste me Covid-19, ndërkaq 38 të tjerë janë shëruar plotësisht.
“Rastet pozitive janë nga: komuna e Prishtinës 36 raste, komuna e Vushtrrisë 9 raste, komuna e Mitrovicës 7 raste, komuna e Prizrenit 5 raste, komuna e Fushë Kosovës 5 raste, komuna Skenderaj 4 raste, komuna Istog 3 raste, komuna Rahovec 2 raste dhe me nga 1 rast komunat: Gjakovë, Lipjan, Mamushë dhe Pejë.
Sot më 20 qershor 2020, janë shëruar 38 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 1018 raste”, thuhet tutje në njoftim.
Nga data 08 shkurt deri më 20 qershor 2020, janë testuar gjithsej 21 mijë e 78 persona të dyshimtë në virusin korona dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 2 mijë e 73 raste, me gjithsej 35 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.