Lajme

Rritet numri i të prekurve me koronavirus në veri. Mjekët e ardhur nga Serbia largohen!

Gjendja me koroanvirus në Kosovë vazhdon të jetë nën kontroll. Deri më tash, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës, pozitiv janë 145 raste, 26 të shëruar dhe një i vdekur.

Mirëpo, në këto statistika nuk janë përfshirë rastet nga veriu i Kosovës, respektivisht nga katër komunat që drejtohen nga kryetarë serbë.

Dhe për më shumë, dy ditët e fundit janë ngritur shumë pikëpyetje se kush vendosi që dy komunat veriore, Mitrovica e Veriut dhe Zveçani të futën në karantinë. U publikua edhe një vendim i Qeverisë së Serbisë me të cilin karantinoheshin komunat e veriut, duke u konsideruar kështu cënim i rëndë i sovranitetit të Kosovës.

Vetëm pas gati dy ditësh, Qeveria e Kosovës, respektivisht ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se futja në karantinë e Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit është bërë nga MSH-ja dhe në koordinim me kryetarët e këtyre komunave.

Sido që të jetë, IKSHPK-ja ende nuk ka të dhëna zyrtare nga veriu rreth numrit të të prekurve me koronavirus.

Dje, ky numër ishte 22. Ndërkaq, sot, ky numër është rritur.

Ballkani.info ka siguruar një raportim të përgatitur pas orës 19 e 30. Në këtë raport, i cili është lëshuar nga koordinatori i emergjencave në veri Sërgjan Filipoviq, thuhet se në Leposaviq janë dy persona të infektuar, në Mitrovicën Veriore 17 dhe në Zveçan 7 persona të infektuar.

Pra, gjithsej numri në këtë pjesë të Kosovës ka shkuar në 26 që janë ë infektuar me COVID-19.

Po ashtu burimet tona thonë se në veri janë vetëm 26 mjekë, pasi që të tjerët, të ardhur nga Serbia kanë qëndruar vetëm pak orë dhe janë larguar./Ballkani.info/


SHIKO EDHE: 7 SIMPTOMAT QË JU TREGOJNË NËSE KENI COVID-19