Lajme

Rizvanolli: Zgjidhni pajisje të dekorimit për festat e fundvitit që harxhojnë pak

Ministrja e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli, ka deklaruar se deri më tani nuk ka ndonjë vendim lidhur me (mos)dekorimin e shesheve për festa të fundvitit. Në një konferencë për media, ajo tha se një gjë e tillë nuk është paraparë ende, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Nuk ka ndonjë vendim të kohëve të fundit për mosndriçim të shesheve, ose për mosndriçim gjatë festave të fundvitit, në masat obligative të kursimit që i kemi votuar në qeveri para rreth një muaji, është i ndaluar ndriçimi dekorativ”, u shpreh ajo. Rizvanolli tha se po planifikojnë që të vendosen kufizime në kohëzgjatje si dhe në masë në të cilën shfrytëzohen ndriçimet dekorative në fundvit.

“Sa i përket ndriçimit dekorativ për festat e fundvitit, specifikisht ne planifikojmë që të ndërmarrim masa, duke kufizuar kohëzgjatjen, por edhe masën në të cilën shfrytëzohen. Konsideroj që është tejet e rëndësishme që komunat, por edhe qytetarët të kenë vëmendje dhe të mundohen sa më shumë që është e mundur që edhe edhe kohëzgjatja, mënyra dhe pajisjet të jenë të tilla që shpenzojnë më pak dhe që ta kenë parasysh ndikimin në konsum të energjisë dhe koston që kjo e bartë me vete”, u shpreh Rizvanolli.

Nga 50 mijë sa ishin ndarë vitin 2021, këtë vit janë paraparë 70 mijë euro për ndriçimin festiv të kryeqytetit. Komuna thotë se janë ndarë deri në 70,000 euro buxhet për dekorim, por bazuar në vendimin e Qeverisë për masat detyruese për kursim të energjisë thuhet “të ndalohet i gjithë ndriçimi dekorativ në hapësira publike”.

“Komuna e Prishtinës ka ndarë buxhet deri në 70000 euro për dekorim të kryeqytetit për këtë vit, megjithatë bazuar në Vendimin e Qeverise me nr.28/96 për Masat detyruese për kursim të energjisë – në masat detyruese të ndriçimit publik të këtij Vendimi pika 2 thuhet: “Të ndalohet i gjithë ndriçimi dekorativ në hapësira publike”, tha Arlinda Kastrati nga Zyra për media në Komunën e Prishtinës.