Lajme

Ritmi i dialogut Kosovë – Serbi, Bislimi e Petkovic çdo muaj në Bruksel

Sllovaku Miroslav Lajçak qe është i ngarkuar i BE-së ta ndërmjetësojë dialogun Kosovë-Serbi është i kënaqur me angazhimin e kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në dialog. Lajçak tha se Petkoviq dhe Bislimi janë çdo muaj në Bruksel për të dialoguar. Ai nga Forumi i Dubrovnikut u shpreh se janë tre ose katër marrëveshje që pritet të nënshkruhen së shpejti mes Bislimit e Petkoviqit por pa dhënë detaje. Nga Brukseli thanë për Express se sot s’ka takim mes Bislimit e Petkoviq.

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, megjithëse s’po arrin të aranzhojë takim mes Kurtit dhe Vuçiqit, ndjehet mirë kur vartësit e tyre takohen në Bruksel. Ai arriti të ndërmjetësojë dakordim mes Bislimit e Petkoviqit për të zbatuar marrëveshjen për Energjinë të para disa viteve.

Lajçak në Forumin e Dubrovinikut që u mbajt pardje përgëzoi Bislimin e Petkoviqin që po angazhohen për t’u takuar duke shtuar se ata po vijnë çdo muaj në Bruksel.

“Procesi më i rëndësishëm strategjik në Ballkanin Perëndimor është normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Dua t’i përgëzoj palët për angazhimin në proces, ne kemi vendosur një ritëm të mirë të punës në nivel të kryenegociatorëve ata po vijnë në Bruksel çdo muaj, jemi pajtuar së voni për një marrëveshje të rëndësishme për energjinë që sjell rend dhe ligj dhe transparencë në këtë rajon, tani jemi në fazën e implementimit të kësaj marrëveshje”, tha Lajçak në Forumin e Dubrovnikut.

Në fjalën e tij në panelin e forumit ku pjesëmarrëse ishte edhe kryediplomatja kosovare Donika Gërvalla, Lajçak tha se janë tre ose katër marrëveshje që planifikohen të nënshkruhen mes Kosovës dhe Serbisë.

“Janë tre ose katër marrëveshje në nivel të fundit të finalizimit dhe shpresoj që do t’i finalizojmë disa nga to së shpejti”, tha ai, pa dhënë detaje shtesë se për çfarë marrëveshje bëhet fjalë.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një përgjigje për Express tha se sot s’ka takim të planifikuar mes Bislimit e Petkoviqt.

“Nuk është planifikuar një takim i tillë për sot. Mund t’i kontaktoni zyret e Bislimit dhe Petkoviqit për agjendën e tyre sot”, thuhet në përgjigje.

E vendimi i fundit i qeverisë së Kosovës për reciprocitet me targa dhe letërnjoftimë më Serbinë, i ka ndryshuar planet e Lajçakut dhe ka krijuar situatë të re.

Kështu kishte deklaruar sllovaku gjatë vizitës në Serbi në fund të qershorit kur edhe u morr vendimi.