Lajme

Ridvan Berisha “rrah” tavolinën në emisionin e tij: Dyshon se mund të mos mbetet në RTK pas ardhjes së Kurtit në pushtet

Ridvan Berisha nuk i tërheq dyshimet e tij për Albin Kurtin. Kryeredaktori i kanalit të tretë të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), ka shpërfaqur skepticizmin e tij kundrejt kryeministrit të ri të Kosovës edhe në edicionin e së martës të emisionit “DEBAT”.

Emisionin e mbrëmjes së të martës, të fokusuar në ardhjen e dytë të Kurtit në krye të qeverisë, Berisha e ka titulluar: “Kurti 2, pushtet shprese apo pritje për dyz?!”.

Titulli, i cili i referohet retorikës së liderit të Lëvizjes Vetëvendosje për t’i mbajtur në përgjegjësi funksionarët e regjimeve të kaluara të cilët dyshohen për keqpërdorime dhe emërime të dyshimta në pozicione politike, sipas Berishës, mund të mos u pëlqejë eprorëve të tij në Transmetuesin Publik.

Por, ai ka thënë se vija redaktoriale e emisionit të tij nuk ndryshon me mbërritjen e Kurtit në pushtet. Ka thënë se ka autonomi mbi emisionin e tij, edhe nëse veprimet e tij do të nënkuptonin shkarkimin e mundshëm nga funksionet që ushtron në televizionin publik.

“Titulli eprorëve të mi mund të mos u pëlqej, të cilët edhe mund të reagojnë. Ndoshta eprorët e mi mund të rrinë nga pak në siklet ndoshta… por, përshëndetje! Kam autonomi në këtë studio, edhe nëse nesër-pasnesër mund të mos jem në këtë studio”, ka thënë Berisha, teksa në dy momente ka goditur me dorë tavolinën e vendosur në studion e emisionit, në shenjë vendosmërie përkitazi me vlerësimet e tij për Qeverinë Kurti 2.

Ridvan Berisha, nga Lëvizja Vetëvendosje është etiketuar si gazetar i afërt me pushtetet e kaluara.

Në vitin 2016, Vetëvendosje kishte publikuar një fotografi, në të cilën kryeredaktori i RTK 3 shihej në shoqërinë e zëvendësdrejtorit të njësitit të anti-terrorizmit, Luan Keka, i cili kishte zhvilluar hetime ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes në rastin e sulmit ndaj Kuvendit të Kosovës më 2016.

Kësisoj, Vetëvendosje tentonte të dëshmonte lidhjet Berishës dhe Kekës me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Këto veprime të LVV-së së Kurtit, Berisha i kishte cilësuar “linçime publike” ndaj tij.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?