Lajme

Reshje shiu gjatë kësaj jave në Kosovë, paralajmërohen përmbytje

Ulje e temperaturave dhe të reshura shiu ditëve të ardhshme. Në fundjavë priten reshje më të dendura shiu, lokalisht mundësi për përmbytje, parashikon “Prishtina Weather”.

10.08.2022 – Përgjatë pjesës së dytë të javës, mbeten ende parashikimet për një mot më jostabil, ku nga dita e premte edhe priten më shumë gjasa për të reshura shiu. Së pari si rrebeshe me bubullima, e përgjatë fundjavës reshje paksa më të vazhdueshme shiu. Vende-vende reshjet mund të jenë më intenzive, e nuk përjashtohet mundësia që lokalisht mund të vije deri tek përmbytjet.

Edhe ditën e hënë mbetet mot jostabil, me mundësi për rrebeshe e bubullima orëve të pasdites. Temperaturat pësojnë rënie të ndjeshme në fundjavë.

Indeksi i cilësisë së ajrit kryesisht mbetet në vlera të pranueshme dhe të mira. Nën kushte të motit me më shumë vransira dhe më të freskët, edhe koncentrimet e ozonit sipërfaqësor mund të jenë më shumë në vlera të pranueshme.

Niveli i rrezikut nga rrezet ultravjollce, do të jetë mesatarë. Në këto raste vlejnë rekomandime që të kërkojmë më shumë hije orëve të mesditës. Vetëm në raste kur rreziku është i lartë, si ditën e premte, atëherë duhet kufizuar aktivitetet në ambiente të jashtme orëve të mesditës.

Datat:

11.08 – Kryesisht me vransira, ditën edhe intervale me diell. Përreth viseve malore mundësi për ndonjë rrebeshe shiu.

12.08 – Ngrohtë, kryesisht me vransira. Pasdite priten zhvillime të rrebesheve me bubullima

13.08 – Më freskët, kryesisht vranët, e kohëpaskohe me shi. Paradite reshjet shoqërohen edhe me bubullima. Reshjet vende-vende vazhdojnë edhe gjatë natës.

14.08 – Freskët, kryesisht vranët, me të reshura shiu që vazhdojnë që nga orët e mëngjesit.

15.08 – Pjesërisht vranët e më ngrohtë. Pasdite mundësi për rrebeshe e bubullima.

Temperaturat minimale luhaten ndërmjet 14C e 17C, e maksimalet nga 25C e 26C, zbresin deri në 20C e 22C në fundjavë.

Erërat frynë kryesisht nga veriu e verilindja, të lehta dhe mesatare 3-10m/s.

Shtypja atmosferike shënon një rritje të lehtë mbi normale dhe luhatet në këto vlera.