Lajme

Refugjatët në Siri luftojnë me dimrin, djegin rrobat e fëmijëve për ngrohje

Foto: Anadolu Agency

Dhjetëra mijëra refugjatë qëndrojnë në kampe refugjatësh në veri të Sirisë, në afërsi të kufirit me Turqinë, ndërsa shumica e tyre këtë vit për të tetën herë me radhë e presin dimrin në kushte të vështira, shkruan Anadolu Agency (AA).



Organizatat humanitare këtë vit kanë arritur të sigurojnë ndihmë për ngrohje për gjithsej 20 për qind të refugjatëve në kamp. Ata që nuk kanë marrë, edhe pse janë të vetëdijshëm se kjo është e rrezikshme për shëndetin e tyre, për t’u ngrohur brenda kampit djegin plastika dhe najlone. Shpesh ndodh që të djegin rrobat e fëmijëve të tyre të vegjël.

Umm Ahmet, një siriane 43 vjeçare nga qyteti Hama, po qëndron në kampin e refugjatëve “Farërat e revolucionit” pranë Idlibit.

“Ndonjëherë kalojmë ditë në spital, përpiqemi të marrim barëra. Nuk jemi në gjendje të marrim ngrohës, meqë nuk kemi para. Në mënyrë që të ngrohemi, ndonjëherë djegim edhe rrobat tona”, tha Um Ahmet.

Ahmet Abu Sulejman, i cili gjithashtu banon në të njëjtin kamp, theksoi se fëmijët në kamp janë shpesh të sëmurë.


“Dimri është i rëndë. Nuk kam mundësi që të punësohem. Nëse do ta gjeja do të kisha mundësi për t’u ngrohur. Djegim kartona, najlone, goma, plastika, çfarëdo që gjejmë. Në momentet kur nuk mund të gjejmë diçka për zjarr, djegim edhe rrobat e fëmijëve tanë”, porositi Suleyman.

Ka fëmijë të shumtë në kamp, të cilët nuk shkojnë në shkollë, por kërkojnë brenda dhe jashtë kampit çdo ditë gjëra që do të mundësojnë familjet të ngrohen.

Kasim Sukair nga Hama ka vetëm tetë vjet. Kohën në kamp e kalon duke kërkuar najlon, qese plastike dhe këpucë, të cilat më vonë do t’i djegin.

E njëjta gjë vlen edhe për 10-vjeçarin Selim Junaid. “Prej në mëngjes deri në mbrëmje kërkojmë najlona. Askush nuk na jep dru, nuk kemi para të blejmë”, tha Junaid, i cili shtoi se vëllai i tij është sëmurë për shkak të tymit.

“Në spitalin tonë paraqiten shumë njerëz me vështirësi respiratore, veçmas shtatzënat dhe fëmijët. Pas bërjes së analizave, kryesisht vijmë në përfundim se këto vështirësi ngjajnë për shkak të ngrohjes së papërshtatshme”, tha për AA, mjeku Abdullah Ammuri. Ai bëri thirrje që të ndihmohen banorët në kamp.