Lajme

Reciprociteti me targa, ja si e komenton kryetari i Bujanocit

Qeveria e Kosovës së fundi ka vendosur masën e reciprocitetit për targat me Serbinë. Këtë vendim e ka mirëpritur edhe kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, ani pse mund të ketë problem në qarkullim.

Arifi për Indeksonline tha se, vendimi është i drejtë pasi që ka qenë i nxitur nga qeveria serbe.

“Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit rreth targave është një vendim i drejtë, përkundër faktit që mund të vonojë qarkullimin e qytetarëve tanë me rastin e ndërrimit të tabelave. Gjithsesi, ky vendim ka qenë i nxitur nga qeveria serbe, e cila nuk ka zbatuar marrëveshjen e Brukselit për qarkullim dhe lëvizje të lirë të qytetarëve të dy shteteve.

10 vite qytetarët e Republikës së Kosovës kanë paguar, i kanë fshehur apo hequr tabelat kur kanë hyrë në Serbi. Ne kemi kërkuar vazhdimisht reciprocitet dhe vendimi i fundit i qeverisë së Kosovës ka të bëjë me zbatimin e reciprocitetit”, u shpreh ai për Indeksonline.

Shoferët me targa të lëshuara nga Serbia duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë. Nga kjo masë u kërkua të përjashtohen Bujanoci, Presheva dhe Medvegja, pasi që ato komuna janë të lidhura shumë me Kosovën.

Por që lajmi i mirë erdhi nga shefi i kabinetit të kryeparlamentarit Glauk Konjufca, Ilir Kërçeli. Ai pohoi se mjetet e mbledhura nga pagesat e tabelave nga shqiptarët e Luginës, do të kthehen në donacion për të.

Këtë vendim e përshëndet edhe Nagip Arifi. “Përshëndesim qëndrimin e kryeministrit Kurti që pagesën simbolike ta kompenzojë në forma tjera për qytetarët tanë”, tha ai.

Kryetari i Bujanocit pret që reciprociteti të zbatohet edhe në fusha të tjera, siç është njohja e diplomave.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?