Lajme

Reagon Osmani: Ajo që pamë sot nga Borrelli ishte njëanshmëri dhe akomodim i agresorit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar në lidhje me zhvillimet e fundit pas takimit të sotëm në Bruksel, në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuciq me ndërmjetim të BE-së.

Osmani tha se rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria, por sipas saj ajo që pamë sot nga Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresori dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembër.

Sipas Osmanit, sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutraliteti, do t’ia përmendte Serbisë, së paku disa nga marrëveshjet e shkelura të Brukselit, në vend që të akuzonte Kosovën, transmeton lajmi.net.

Osmani tha se paqja dhe stabilteti nuk mund të arrihen duke akomoduar ata që kanë ambicie hegjemoniste, por se Kosova asnjëherë nuk do të heq dorë nga qëllimi i qartë për paqe e stabilitet afatgjatë si dhe rend e ligj në tërë territorin e saj.

Postimi i plotë:

Rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria. Ajo që pamë sot nga z. Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembëruar. Sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit, do t’ia përmendte Serbisë, së paku disa nga këto marrëveshje të shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën:

1. Shkelja e obligimit për shpërbërjen e strukturave paralele ilegale kriminale, ashtu siç kërkohet në Marrëveshjen e vitit 2013. Përkundrazi, këto struktura sot përkrahen, financohen e armatosen nga Vuçiq, me qëllim të sulmit ndaj Kosovës sipas stilit e planit të Putinit;

2. Moszbatimi i Planit të Zbatimit të Marrëveshjes së vitit 2013, ku kërkohet që të dyja palët të miratojnë ligje për amnisti. Deri tani, vetëm Kosova e ka miratuar;

3. Shkelja e obligimeve nga Marrëveshja e vitit 2013, që kanë të bëjnë me mbajtjen e zgjedhjeve, ku Serbia vazhdimisht ka nxitur sulme ndaj partive serbe që nuk konsideroheshin besnike ndaj qeverisë së Serbisë. Kjo është konfirmuar disa herë nga raportet e ekipeve të vëzhguesve ndërkombëtare të zgjedhjeve;

4. Shkelja e vazhdueshme e pikës 14 të Marrëveshjes, ku kërkohet që Serbia të mos e bllokojë rrugën evropiane të Kosovës;

5. Shkelja e pikave 9, 10 dhe 11 të Marrëveshjes së vitit 2013 ku është paraparë integrimi i serbëve në polici, gjyqësi, etj. Për më tepër, ditët e fundit kemi parë shkelje flagrante të kësaj marrëveshjeje me nënshkrimin e kontratave me institucionet ilegale të Serbisë dhe asnjë reagim të BE-së;

6. Bllokimi i zbatimit të marrëveshjes për energji për gati 10 vite;

7. Moszbatimi i marrëveshjes për lëvizje të lirë, nëpërmjet ndalesave, të cilat Serbia ua bënë shumë zyrtarëve e qytetarëve të Kosovës të të gjitha profileve që të hyjnë në Serbi, mospranimin e dokumenteve të lëshuara nga Kosova, etj;

8. Moszbatimi i marrëveshjes për drejtësinë, nëpërmjet vendosjes së vulave në dokumentet origjinale të gjykatave dhe organeve të tjera të Kosovës me mbishkrimin “Republika e Serbisë –Kosova dhe Metohija –nën administrimin e OKB-së dhe Rezoluta 1244.”;

9. Moszbatimi i Marrëveshjes për Zyrat Ndërlidhëse duke mos lejuar zgjerimin e stafit të zyrave ndërlidhëse ashtu siç ishin marrë vesh palët;

10. Shkelja e marrëveshjes për dogana, ku Serbia ende përdorë vulat paralele doganore etj;

11. Shkelja e marrëveshjes për kadastra, ku nuk ka asnjë përparim në obligimet që i ka Serbia për t’i dorëzuar dokumentet origjinale të kadastrave;

12. Shkelja e marrëveshjes për diploma, në të cilën poashtu nuk ka asnjë përparim nga ana e Serbisë;

13. Shkelja e marrëveshjes për urën e Ibrit, duke nxitur strukturat ilegale të vazhdojnë me aktivitete të paligjshme duke bllokuar qarkullimin e automjeteve;

14. Shkelja e marrëveshjes për përfaqësim rajonal, duke tentuar të bllokojë pjesëmarrjen e Kosovës e duke keqinterpretuar marrëveshjen për fusnotën në thuaja secilin organizim rajonal apo të Bashkimit Evropian, qofshin ato takime të nivelit qeveritar, parlamentar apo të tjera;

15. Shkelja e obligimeve për funksionalizimin e pikave kufitare;

Lista është më e gjatë se kaq.

Paqja dhe stabiliteti nuk mund të arrihen duke akomoduar ata që kanë ambicie hegjemoniste. Por, Kosova asnjëherë nuk do të heq dorë nga qëllimi i qartë për paqe e stabilitet afatgjatë si dhe rend e ligj në tërë territorin e saj.