Lajme

Reagon Lutfi Haziri: Ky virus na ka lodhur të gjithëve

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka reaguar pas konfirmimit të edhe 9 rasteve me coronavirus në këtë komunë, duke ngritur në 195 numrin e të infektuarve.

Haziri ka thënë se aktualisht në Gjilan janë 55 raste aktive, derisa 4 kanë ndërruar jetë.

“U informuam nga IKSHP për 9 raste të reja pozitive me #COVID19 në Gjilan, duke e ngritur në 195 numrin e përgjithshëm brenda afro katër muajve. 4 prej tyre kanë ndërruar jetë, 136 janë shëruar, ndërsa 55 raste janë aktive me virusin corona”, ka thënë Haziri, raporton Insajderi.org.

Me tutje Haziri ka thënë se koronavirusi i ka lodhur të gjithë, porse u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat dhe rekomandimet.

“Ky virus i panjohur na ka lodhur të gjithëve, por me disiplinë të përbashkët mund ta parandalojmë përhapjen e tij. Ju lutem, mos e neglizhoni sepse #COVID19 po merr jetë të njerëzve. Mos dilni pa masa mbrojtëse. Kujdesu për vete, për familjen, për qytetin, për Republikën”, ka theksuar ai. /Insajderi.org