Lajme

Reagon KEDS: Ne nuk rrisim çmime e as nuk jemi përgjegjës për strukturën tarifore

Pas aksionit të Partisë Socialdemokrate te Qeveria e Kosovës për propozimin për shtrenjtim të rrymës dhe debatit në Kuvend, KEDS-i ka dalë me një komunikatë për media, duke bërë të ditur se ata nuk janë përgjegjës për rritjen e çmimit rreth energjisë elektrike dhe as për strukturën tarifore.

Nga kjo kompani thuhet se ata kanë të drejtë që të bëjnë propozime në aplikimin tarifor, por që në fund vendimet i merr Zyra e Rregullatorit për Energji.

“KEDS-i dhe KESCO sqarojnë që nuk rrisin çmime dhe as nuk janë përgjegjës për strukturën tarifore. Kjo strukturë ndërtohet pas aplikimit për Të Hyrat Maksimale të Lejuara (MAR). Në aplikimin tarifor, të gjitha Palët e Interesit, duke na përfshirë edhe neve, kemi të drejtë të dërgojmë propozime tona. Por, është ZRRE ajo që merr vendimet. Deri tash, 95 për qind e propozimeve tona nuk janë marrë parasysh. Pra, heqja e bllok tarifës në vitin 2017 ishte dhe mbetet përgjegjësi ekskluzive e ZRRE-së. Ne nuk jemi politikëbërës, por jemi vetëm kompani operative”, thuhet në komunikatë.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?