Lajme

Reagon edhe Haki Abazi: Kurtin do ta kemi kryeministër, do t’i prijë listës në zgjedhje

Haki Abazi, ish-zv.kryeministër i Kosovës thotë se Albin Kurti do të jetë kandidat për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit. Sipas deputetit të VV-së nuk ka asnjë pengesë ligjore që ia ndalon Kurtit këtë të drejtë.

“Z.Kurti dhe të gjithë anëtarët e tjerë do të jenë pjesë e Listës së VV-së dhe do të bëhet kryeministër i Kosovës. Nuk ka asnjë interpretim ligjor, vepra për të cilën është dënuar me kusht. Tentimet për të krijuar mjegull janë pjesë e shantazhit”, u shpreh Abazi.

Ai shprehet i bindur se VV do të jetë fituese e zgjedhjeve pasi ka një mobilizim të emigrantëve por edhe të votuesve brenda Kosovës.

Ndërsa duke komentuar zhvillimet e fundit në SHBA, Abazi tha se tensioni në Kapitol Hill vjen si rezultat i gjuhës denigruese dhe përjashtuese që Trump ka përdorur gjatë 4 viteve.

“Asnjëherë nuk është parë në historinë e SHBA një gjuhë e tillë dhe sigurisht që kjo ngacmon njerëzit”, tha deputeti i VV-së.

Abazi e konsideroi një shans historik për shqiptarët në rajon faktin që Joe Biden do të jetë Presidenti pasi ka një njohje të gjatë për shqiptarët.

“Mendoj me këtë administratë do të ketë mirëkuptim për anëtarësimin e Kosovës në NATO si dhe çrrënjosjen e korrupsionit”, u shpreh ai.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?