Lajme

Raportimi se Vjosa Osmani shpalli në mënyrë jokushtetuese zgjedhjet, reagon zyra e presidencës

Zyra e Presidencës ka reaguar pas raportimit se u.d së presidentit Vjosa Osmani ka shpallur zgjedhjet pa e shpërndarë Kuvendin, raporton Gazeta Express.

Gazeta Reporteri ka publikuar sot një analizë, sipas të cilit, thuhet se Osmani ka shpallur fillimisht zgjedhjet, pastaj ka dhënë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, duke publikuar komunikimin me Presidencës rreth kësaj çështjeje.

Në reagimin e presidencës thuhet se dekreti për shpërndarjen e legjislaturës së shtatë dhe vendimi për shpalljen e zgjedhjeve janë dy lloje të ndryshme të akteve të nxjerra nga ana e u.d së presidentit, gjë që nuk përbën shkelje kushtetuese duke e quajtur raportimin e gazetës online Reporteri si të pavërtetë.

“Vendimi dhe Dekreti janë dy lloje të ndryshme të akteve, të cilat nxirren nga u.d. Presidentja. Si të tilla, të dyja kanë numra të ndryshëm të regjistrimit dhe evidentimit të tyre që përkojnë me llojin e aktit juridik. Para nxjerrjes së Dekretit për shpërndarjen e Legjislaturës së shtatë, në vitin 2021 janë nxjerrë dy dekrete të tjera, që mbajnë numrat paraprak të protokollit për Dekrete. Kurse para marrjes së Vendimit për shpalljen e zgjedhjeve është nxjerrë një vendim tjetër paraprak me numër rendor para vendimit në fjalë. Në po të njëjtën ditë të nxjerrjes së Dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, ky Dekret është dërguar në Kuvend, i protokolluar me nr. 07/1371/Do-792, i datës 6 janar. Në protokollin e Zyrës së Presidentes, shkresa përcjellëse dhe Dekreti për shpërndarje të Kuvendit e ka numrin e protokollit 12, kurse shkresa përcjellëse dhe vendimi për shpalljen e zgjedhjeve e ka numrin rendor 13.Pra, pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, përmes Dekretit 03/2021, u.d. Presidentja ka shpërndarë Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe më pas përmes Vendimit 02/2021 ka shpallur zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.”, thuhet në reagim.

Në reagimin e ZPRK’së kanë bashkëngjitur dekretin e protokolluar për shpëndarjen e Kuvendit dhe vendimin poashtu të protokolluar dërguar Drejtorit të Zyrës për Publikimin e Gazetës Zyrtare të Republikës së Kosovës për shpalljen e zgjedhjeve./GazetaExpress/


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?