Lajme

Qyteza e zhdukur nga zjarret në Kaliforni, këto janë pamjet tronditëse

Zjarret tragjike në Kaliforni kanë zhdukur një qytezë të tërë.

Në Paradise, janë shkrumbuar plot 8 900 shtëpi, ndërkohë në të gjithë zonën pritet të lëshohet alarmi i evakuimit për të paktën 50 mijë persona, pasi flakët gjigande vijojnë të përhapen frikshëm.

Një ditë më parë, Kalifornia u vizitua nga presidenti Donald Trump i cili u shpreh i tronditur nga shfarosja e gjithçkaje prej flakëve gjigande të ditëve të fundit.

Sipas mediave amerikane, një qytezë, Paradise, (Qyteti i Parajsës) është drejt zhdukjes.

Me 23 mijë banorë dhe i ndodhur 280 km në veri të San Franciskos, kjo qytezë ka pësuar dëme të mëdha në historinë e zjarreve në SHBA.

Siç duket edhe nga pamjet, aty duket sikur ka ndodhur apokalipsi. Flakët nuk kanë lënë asgjë mbi tokë.

Ndërkohë, në gjithë zonën e prekur nga zjarret, nga ora në orë mbi 50 mijë persona presin urdhrin e evakuimit, pasi flakët po përhapen me shpejtësi duke marrë gjithçka që iu del përpara. Autoritetet parashikojnë se shuarja e flakëve do marrë të paktën 10 ditë, deri në fundin e muajit nëntor.