Lajme

Qytetarët nuk shpresojnë shumë në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike

Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike, përveç disa ndihmesave që parasheh për bizneset, përfshinë edhe mundësinë për tërheqje të 10 për qind të trustit pensional. Ky ligj është miratuar më në fund nga Kuvendi i Kosovës, gjatë seancës së djeshme, ku mori përkrahjen e 72 deputetëve. Jo gjithë qytetarët po i gëzohen kësaj pako, meqë sipas tyre është e vonuar, dhe nuk do t’u ndihmojë sa duhet atyre.

Xhavit Mustafa, i cili është pensionist thotë për KosovaPress se kjo pako nuk do të ndihmojë aspak qytetarët, meqë dyshon se do të keqpërdoren këto mjete.

“Pako e rimëkëmbjes ekonomike nuk i ndihmon aspak qytetarët, e kanë menduar për disa biznese por bizneset në të shumtën e rasteve e keqpërdorin atë ndihmë. Dhe nuk do të shkoj për aty ku është dedikuar. Punëtori nuk do të ketë kurrfarë përfitimi nga ky rast. Shumë shtresa sociale fare nuk janë të ndihmuara në këtë periudhë”, thotë ai për KosovaPress.

Ai thotë se dy qeveritë që kanë udhëhequr gjatë kohës së pandemisë, nuk kanë bërë sa duhet për pensionistët. Këta të fundit i ka ftuar që të bojkotojnë zgjedhjet e ardhshme.

“Për pensionistët as qeveria e kaluar, as kjo qeveri nuk e ka folur asnjë fjalë, por faji është te pensionistët të cilët dalin dhe i votojnë në zgjedhje. Kisha sugjeruar që gjithë pensionistët në zgjedhjet e ardhshme që do të jenë sigurisht në pranverë, t’i bojkotojnë zgjedhjet në plotëni”, shton ai.

Ndërsa, dikush tjetër që merret me biznes thekson se që tetë muaj nuk kanë pasur ndihmë nga shteti.

“Shumë pak. Unë merrem me biznes që tetë muaj asgjë nuk kam ndihmë. Nuk kam besim hiç… 80 për qind na ka ra shitja”, thekson ai.

Kurse Menduh Dema nga Prishtina e ka parë me optimizëm votimin e kësaj pako, meqë sipas tij do të ndihmohet qytetari.

“Shumë mirë ky popull lyp me i dhënë diçka, mbaroj… Në rast se mendimin e kanë të mirë t’i ndihmojnë popullit, mirë është”, thotë ai.

E për Mehdi Shalën kjo pako është e vonuar, meqë pasojat e pandemisë janë të mëdha.

“Është e mirë, por është e vonuar, por pasoja ka, tash vonë kurrë nuk është. Por, shoqëria është ashtu që nuk e kupton, derisa u vetëdijësuan. Një herë për një herë nuk i kemi punët mirë… Këto mjete janë të dedikuara, por tash ndihmon, nuk mundet me dhënë konkludime që nuk është e qëlluara. Kur nuk ki hapësirë, manovrime të tjetra, duhet edhe këtë”, shprehet ai.

Dukagjin Nimani, i cili ka ardh për pushime nga Amerika, shprehet se kjo ndihmë nga Kosova nuk krahasohet me shtetet tjera, meqë të njëjtat kanë buxhet.

“Çdo pako ekonomike është e mirë, mendoj që në njëfarë mënyre ka me ndihmu… Mendoj që Kosova nuk ka mjaft mjete me financua gjithë personat që kanë nevojë për ndihmë. Aty besoj që është esenca. Shtetet e zhvilluara kanë mjete, munden me i nda, Kosova pak më rëndë i ka”, shton ai.

Ky ligj, kishte gjithsej 18 amendamente, katër nga Partia Demokratike e Kosovës.

Këto të fundit, parashikojnë që personave që tërheqin 10% nga Trusti Pensional, e të cilët kanë më pak se 10 mijë euro në këtë fond, shteti do t’ua rimbursojë shumën e tërhequr.


SHIKO EDHE: Si do të duket jeta pas COVID-19?