Lajme

“Qytetarët mund të lëvizin pa viza vitin tjetër”

Njohësi i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Shqiprim Pula, ka thënë se këtë vit kalendarik, samiti i Unionit Evropian do të ketë dy takime, e që në rend dite mund të jetë tema për heqjen e vizave për Kosovën.

Shqipërim Pula, për Ekonomia Online tha se nëse këtë vit merret vendim që qytetarët të lëvizin lirshëm në zonën Shengen, ajo mund të jetësohet tek vitin e ardhshëm për shkak të zgjatjes procedurave.

“Në tetor të këtij viti, pra pas pak muajsh, diku me 20-21 tetor është samiti i radhës i Unionit Evropian dhe i fundit për këtë vit kalendarik potencialisht do të jetë me 15-16 dhjetor, në këto data mund të jetë pikë e rendit të ditës trajtimi i temës për heqjen e regjimit të vizave për Kosovën. Se sa do të ndodh, po e quaj një mrekulli e tillë këtë nuk mund ta dimë. Por, edhe po të ndodh një vendimmarrje për konsideratën ndaj regjimit të vizave për të mundësuar qytetarëve të Kosovës lëvizjen e lirë drejtë zonës shengen, një vendim marrje e tillë do të filloj të jetësohet tek vitin e ardhshëm, për shkak të procedurave që duhet ndjekur dhe natyrisht ato procedura duan kohën e vetë”.

Tutje, Pula theksoi se Parlamenti Evropian e përkrah haptazi Kosovën për liberaliazimin e vizave.

Ai tha se institucionet përkatëse duhet ta kenë vëmendjen tek gjyqësori, në mënyrë që të fuqizohet dhe të jetë stabile.

“Në kuptim të kritereve teknike, por edhe atyre politike po, janë konkluduar, janë rekomanduar nga ana e Komisionit Evropian qysh para 4 viteve tashmë. Së fundmi, jo më larg se javën që shkoi, me një shumicë numrash në parlamentin evropian, u aprovua rezoluta me rekomandimin për heqjen e regjimit të vizave dhe në këtë drejtim, Parlamenti evropian del të jetë institucioni i vetëm i Unionit Evropian i cili haptazi përkrahë jo vetëm çështjen e statusit të Kosovës si shtet, por edhe heqjen e regjimit të vizave. Por, fatkeqësia është që rezoluta të tilla nuk janë obligative dhe shtetet anëtare nuk e marrin si të detyrueshme për zbatim. Por, sidoqoftë është një rrugë për të treguar mbështetjen karshi nesh dhe për të treguar domosdoshmërinë e heqjes së regjimit të vizave. Se sa do ta marrin në konsideratë shtetet anëtare, në këtë rast Këshilli Evropian, pritet për tu parë. Ndërkaq, për sa i takon kritereve që kanë të bëjnë me gjyqësorin natyrisht që neve akoma çalojmë në atë drejtim, për shumë faktorë dhe arsyet e njohura dhe të panjohura nganjëherë, por natyrisht shtetit të Kosovës institucioneve përkatëse i duhet që në konsistencë të ketë vëmendje që gjyqësori, komponenta e drejtësisë të fuqizohet dhe të jetë stabile”, tha Pula.