Lajme

Qeveria propozon Veton Surroin për Sekretar të Përgjithshëm të RCC-së

Publicisti Veton Suroi është i propozuari i Qeverisë së Kosovës për Sekretar të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) për periudhën 2022-2024, ka raportuar sot portali Kosovo-Online bazuar në burime diplomatike.

Në një shënim zyrtar, në të cilin ka siguruar qasje portali Kosovo-Online, Qeveria e Kosovës ia ka dërguar propozimin Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës.

Në dokument thuhet se Surroi është i njohur në rajon për përkushtimin e tij ndaj paqes, si dhe për aspiratat evropiane e euroatlantike të popujve të Evropës Juglindore, transmeton Paparaci.

Gjithashtu thuhet se në tri dekadat e kaluara, ndër të tjera, Surroi ka treguar kapacitetet e tij si themelues dhe publicist i gazetës “Koha ditore”, si dhe pjesëmarrës në procesin e negociatave në Rambuje në vitin 1999.

Surroi ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës nga viti 2004 deri në vitin 2007, ndërsa nga prilli i vitit 2021 është këshilltar qeveritar në negociatat për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Zyra e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal drejtohet nga një këshilltar politik i emëruar nga Kryeministri dhe njëkohësisht shërben si Koordinator Kombëtar për RCC.

Fillimisht si pasardhëse e Paktit të Stabilitetit për EJL, kjo zyrë është krijuar për të mbuluar bashkëpunimin rajonal në sektorët siç janë ekonomia dhe zhvillimi social, energjia dhe infrastruktura, zhvillimi i kapitalit njerëzor, drejtësia, punët e brendshme dhe bashkëpunimi parlamentar si dimension gjithëpërfshirës.

Tani e koordinon gjithashtu Planin e Veprimit Shumëvjeçar për Zonën Ekonomike Rajonale (MAP REA) i miratuar nga gjashtë kryeministrat e Ballkanit Perëndimor më 12 korrik 2017 në Samitin e Triestes, në kuadër të procesit të Berlinit. Si dhe nga Samiti i kaluar i Procesit te Berlinit udhëheq me agjendën e saj në vazhdim të quajtur Tregu i Përbashkët Rajonal (CRM).

RCC-ja po ashtu shërben si Seekretariat i SEECP-së dhe pjesëmarrësit e saj përfshijnë të gjitha vendet e EJL-së, Bashkimin Evropian dhe disa shtete anëtare të BE-së.

Sekretariati i RCC-së ndodhet në Sarajevë, Bosnje dhe Hercegovinë dhe ka poashtu edhe një zyre ndërlidhëse në Bruksel. /Paparaci.com


SHIKO EDHE: 10 teknologjitë e lashta për të cilat shkenca ende nuk ka përgjigje