Lajme

Qeveria nuk ua jep paratë shtesë punëtorëve, ja çka do të bëjë ATK-ja

Në ditën kur pritet të bëhet hapja e bizneseve të ndryshme në Kosovë, Sindikata e ATK-së paralajmëron se punëtorët do ta ndërprejnë punën me palë si dhe nuk do të ketë vizita në teren, kjo për shkak se Ministria e Financave ka vendosur të mos ua jap më nga 300 euro shtesë inspektorëve, të përcaktuara në Pakon Emergjente Fiskale.

Inspektorët e ATK-së sot kanë pranuar një informacion të çuditshëm nga Administrata Tatimore e Kosovës se nuk do të marrin paratë shtesë nga Pakoja Emergjente Fiskale, me arsyetimin se ‘nuk i plotësojnë kriteret e përcaktuara nga Qeveria e Kosovës për të marrë shtesën për muajin prill’. Inspektorët kanë shprehur pakënaqësi për arsyetimin e ‘kritereve’ nga ana e Ministrisë së Financave dhe ATK-së pasiqë të hollat për muajin mars i kishin marrë po me këto kritere.

Në emailin që ka siguruar Gazeta Sinjali, Menaxhmenti i ATK-së thotë se së bashku me Ministrinë e Finacave kanë analizuar gjendjen e ATK-së dhe kanë konstatuar se stafi i tyre nuk i plotëson kriteret për përfshirjen në Pakon Emergjente Fiskale.

Por, këtij vendimi i është përgjigjur Sindikata e ATK-së, përmes një emaili dërguar menaxhmentit, duke ua bërë me dije se nëse punëtorët nuk përfshihen në pakon në fjalë atëherë nga e hëna nuk do të ketë punë me palë nga zyrtarët e Mbledhjes, zyrat e shërbimit të ATK-së dhe nuk do të ketë vizita në teren.

Ndryshe, ndihmesa për inspektorët e ATK-së në Pakon Fiskale Emergjente përfshihet në masen 6.


SHIKO EDHE: Si do të duket jeta pas COVID-19?