Lajme

“Qeveria Hoti në momentin që votohet bëhet e plotfuqishme, vendimi i Kushtetueses duhet të respektohet”

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se çfarëdo vendimi që do të merr Gjykata Kushtetuese, një gjë e tillë duhet të respektohet nga secila parti politike.

Ai ka thënë se vendimi duhet t’i lihet në dorë Kushtetueses, pasi asaj i është drejtuar Lëvizja Vetëvendosje, pasi që Presidenti i vendit, Hashim Thaçi e ka dekretuar Avdullah Hotin e LDK-së, për kryeministër të ri të Kosovës.

Limaj ka thënë se nëse të shtunën votohet qeveria e re, ajo automatikisht bëhet legjitime dhe merr detyrën, pavarësisht se lënda është në Gjykayën Kushtetuese.

Ai ka thënë se pret se nuk do të ketë rezistencë nga Lëvizja Vetëvendosje për ta bëtë pranim-dorëzimin e detyrave të ministrave të ri.

“Ne kemi hyrë në procedura ligjore. Ta lëmë Gjykatën Kushtetuese ta thotë fjalën e vet. Drejtimi në Kushtetuese është hap institucional, është serioz dhe është rrugë që duhet të ndiqet”, ka thënë Limaj.

Ai ka thënë se sipas realitetit që do të krijohet duhet të merren hapa në përputhje me vendimin e Kushtetueses.

“Nëse të shtunën votohet qeveria e re dhe nëse kabineti votohet në Kuvend duhet të respektohet ajo procedurë”, ka shtuar Limaj.

Kreu i Nismës, ka thënë se në Kosova asnjëherë nuk ka pasur problem me rotacione politike.

Ai ka thënë se në këtë kohë, Kosovës i duhet një frymë ndryshe nga kjo që është duke ndodhur tani.

“Një urrejtje e madhe, një përplasje duke mos zgjedhur fjalë, por edhe veprime që janë duke e rënduar situatën. Kjo atmosferë që është sot, është vështirë me punu. Detyra e parë e një qeverie është që të tentojë të punojë fort për ta shëruar këtë klimë. Ka tendencë për të thelluar përçarjen. Është bërë modë në diskursin publik, përjashtimi dhe sulmi si një motiv udhëheqës i distancimit, sharjet, përplasjet dhe thirrje e qytetarëve për të marr pjesë në ato përplasje”, ka thënë Limaj në Rubikon të Klan Kosovës.

Ndryshe, pas arritjes së marrëveshjes për bashkëqeverisjes me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Nisma Socialdemokrate do t’i ketë dy ministri, si dhe pozitën e zëvendëskryeministrit.

Gjatë se enjtes, është publikuar dokument-marrëveshja e koalicionit qeverisës mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Nismës Socialdemokrate (NSD).

Mustafa dhe Limaj janë dakorduar që Nismës t’i takojë edhe posti i zëvendëskryeministrit, derisa, zëvendësministrat do të ndahen në mënyrë proporcionale bazuar në peshën politike të subjekteve.

Dy partitë janë dakorduar që emërimi dhe zëvendësimi i ministrave, zëvendësministrave dhe zyrtarëve tjerë, bëhet vetëm me propozimin e kreut të partisë, në këtë rast të Limajt.

I propozuari për kryeministër, Avdullah Hoti sipas marrëveshjes ka të drejtë të shkarkojnë ministrat e Nismës, në rast se gjatë mandatit ata sfidohen me proces të drejtësisë, pra i konfirmohet ndonjë aktakuzë apo ftohet në proces gjyqësor. /Objektiv/


SHIKO EDHE: 7 SIMPTOMAT QË JU TREGOJNË NËSE KENI COVID-19